Rama kritika Rektorit të Universitetit të Tiranës

schedule14:39 - 1 Prill, 2019

schedule 14:39 - 1 Prill, 2019

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, i cili sipas shefit të qeverisë po pengon plotësimin e kërkesave të studentëve. Nëse universitetet nuk marrin masa për të rishikuar titujt akademik kryeministri paralajmëroi se qeveria do t’u marrë kompetencat.

Nëse universitetet nuk nisin vlerësimin e titujve akademik, qeveria do të ndërhyjë në ligj dhe do të marrë kompetencat që iu takojnë Institucioneve të Arsimit të Lartë. Paralajmërimi vjen nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se e ka gati planin B, por para se ta verë në zbatim do t’i japë dhe një tjetër mundësi universiteteve.

“Do detyrohemi t’i bëjmë vetë duke ndërhyrë në legjislacion, duke marrë kompetenca që sot i ka universiteti. Por kjo nuk është më e mira për t’u bërë”.

Gjatë prezantimit të bibliotekës digjitale, e cila vetëm në Instituconin e Arsimit të Lartë më të madh ne vend nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në rrjetin teknologjik, shefi i qeverisë kritikoi ashpër Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

“Ne kemi rezerve të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universitetit të Tiranës dhe besoj që nuk them diçka të parakohshme sepse është koha për të adresuar inkompetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit alarmante të konstatuar në raport edhe me çfarë gjithë ne jemi përpjekur të bëjmë për të adresuar të gjitha kërkesat e studentëve nga ana e rektorit të Universitetit të Tiranës”.

Rektori Koni, sipas kryeministrit, po pengon realizimin e kërkesave që studentët shprehen në protestën e Dhjetorit te vitit të shkuar. Shefi i qeverisë u ndal gjatë në tre prej tyre; transparencën e titujve akademik, vlerësimin e pedagogëve nga ana e studentëve dhe tregtimi i teksteve në këmbim të notës. Këtu nuk kurseu akuzat as ndaj pedagogëve.

“Duke mos ndarë pedagogët që meritojnë të gjithe respektin dhe vendin që kanë e jo për të bërë politikë e për të qenë diplomatiksht në rregull nga sharlatanë që paraqiten si doktorë shkencash e paguhen nga taksat tona e marrin në qafë studentë, ne nuk vendosim Universitetit në bazat e duhura”.

Kush kujton se qeveria do të tërhiqet nga këto çështje paralajmëroi kryeministri e ka gabim.

“Kush kujton se do kërcënojë qeverinë me inskenime protestash apo krijme situatash që turbullojnë gjendjen e brendshme për tju shmangur kësaj e ka gabim”.

Ndërkohë kryeministri përsëriti se Ligji i Arsimit të Lartë nuk do të ndryshojë deri sa nga pedagogët nuk kanë argumente bindës kundër tij.

“Nëse na vjen një argument, që ky ligj pengon këtë gjë ne jemi gatshëm që të hyjmë që neser. Deri tani s’ka asnjë argument, vetëm fantazira”.

Kryeministri gjithashtu paralajmëroi rishikim të kuotave të miratuara nga universitetet për programe të caktuara studimi, rritje të mestares për ata që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta dhe rishikim të qendrave që certifikojnë njohuritë në gjuhën angleze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!