Një tjetër masë ka ndërmarrë në shërbim diplomatik ministri në detyrë Gent Cakaj, i cili e perifrazon si një ndër çudirat shqiptare.
“Ka ardhur koha që të zhbëjmë një praktikë sa origjinale në absurditetin e vet, aq edhe në mospërputhje me ligjet ekzistuese në Shqipëri e praktikat e mira ndërkombëtare në përgjithësi”.
Mund të justifikojë faktin se një vend i vogël si Shqipëria të ketë 48 Konsuj Nderi, por është kundër shërbimeve që përfitojnë. Për këtë i referohet pikës 5.8 të ceremonialit të Republikës së Shqipërisë ku thuhet se konsujt e nderit përdorin një automjet që pajiset me targë të zakonshme kombëtare dhe me një shenjë dalluese ovale në të djathtë të targave kombëtare me simbolet HCC. Por konsujt nuk e kanë respektuar.
“Ndërkohë në shkelje të habitshme të këtij ligji janë përplot 38 Konsuj Nderi të pajisur me targa CD, të cilët i kemi mes nesh dhe hyjnë e dalin nga kufijtë e këtij vendi, jo si qytetar shqiptarë, por si përfaqësuesit më të lartë diplomatik ndërkombëtar”.
Ka ardhur koha që këtë privilegj unikal siç e quan ministri i jashtëm në detyrë, të mos e përfitojnë më nga sot e tutje.
“Informoj të gjithë personat në fjalë se zyra e protokollit do të fillojë menjëherë me kontaktimin e tyre dhe janë të detyruar të dorëzojnë targat diplomatike dhe të pajisen me shenjën dalluese ovale HCC”.
Ka një mesazh edhe për ata që neglizhojnë thirrjet e protokollit të Ministrisë së Jashtme
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Transporteve do të veprohet në eficencë të plotë për të marrë masat që targat në fjalë të dalin jashtë funksionit”.
Ministri në detyrë Gent Cakaj paralajmëron se do të dalë përsëri para mediave për të komunikuar masën e radhës, këtë herë për pasaportat diplomatike. Se kush duhet dhe nuk duhet ta përfitojë do të zbardhet në një moment tjetër njoftoi ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
/abcnews.al