Rrëshqitje gurësh në aksin nacional Berat-Skrapar, drejtuesit e mjeteve: Ndodh sa herë që bie shi, janë burim aksidentesh

schedule15:21 - 10 Prill, 2022

schedule 15:21 - 10 Prill, 2022

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, që kanë filluar që prej mëngjesit të sotëm në qarkun e Beratit kanë sjellë problematika të shumta në aksin nacional Berat-Skrapar.

Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks.

Shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore përgjatë këtij aksi gjatë stinës së dimrit, vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej vitesh, edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës janë ankuar shpeshherë.

Rënia e gurëve ka sjellë dimrin e vitit të kaluar edhe rrëshqitje të masiveve gurësh të mëdhenj, që fatmirësisht nuk kanë rënë mbi automjetet në ecje.


Situata vijon të jetë e njëjtë që prej mëngjesit të sotëm,në prirje të punonjësve të mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan për pastrimin e saj.

Aksi nacional Berat-Skrapar është një aks me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh.

Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike por projekti nuk është hedhur asnjëherë në letër./abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!