Basha: Rama u vjedh shqiptarëve 100 mijë euro në orë

schedule19:14 - 30 Mars, 2019

schedule 19:14 - 30 Mars, 2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se, ka rënduar Shqipërinë pasi ka grabitur çdo shqiptar. Nga Durrësi ku zhvilloi një takim të hapur me qytetarët, Basha akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama për vjedhjen e 2 miliardë eurove në dy vitet e fundit.

“Rama hajduti më i madh në histori. Vjedh 100 mijë euro në orë. Kllouni që erdhi dje këtu para jush, nuk ishte klloun por ai është hajduti më i madh në historinë e Shqipërisë  që fshihet pas shakave bajate ndërsa fut duart ditë për ditë në xhepat tuaj.  Vëllezër dhe motra vetëm sipas të dhënave zyrtare në vetëm dy vite Edi Rama ka kullufitur afro 2 miliard euro. 2 miliard euro nga taksat e shqiptarëve!”

Kreu demokrat nuk i kurseu as akuzat në drejtim të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, duke thënë se ka bashkëpunuar me grupet kriminale për të blerë votat.

“Dosja 339 është dëshmia gjyqësore e rënies së votës së lire, e shkatërrimit të zgjedhjeve, e kapjes dhe shkatërrimit të demokracisë. Dhe kjo është arsyeja se pse Edi Rama ka kapur drejtësinë, ka ndryshuar 5 herë prokurorët e dosjes 339, me shpresën se kështu do të vonojë fatin që e pret Vangjush Dakon, bashkëpunëtorin e Niçes me shokë dhe gjithë kupolën socialiste, deri tek Edi Rama, hajdutët e votave të durrsakëve, hajdutët e votave të shijakasve, hajdutët e viteve të qytetarëve shqiptarë”.

Sipas Bashës raporti i DASH ishte i qartë dhe se akuzat e PD tashmë janë vërtetuar.

“Ka një pengesë për rrugën tonë evropiane. Ajo është Shqipëria si Kolumbia, ajo është Maduro i Ballkanit dhe banda e tij hajdute. Koha për zgjidhjen politike është tani. Ka 1 dhe vetëm 1 zgjidhje: largimi i Edi Ramës, shkaktarit të kësaj gjendjeje, një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të rikthejnë votën tek qytetarët shqiptarë dhe, përmes votës tuaj, do të kthejmë mundësinë dhe shpresën, lirinë për punë,  dinjitet, zhvillim dhe, mbi të gjitha, për shpresën e cila po lind në çdo cep të këtij qyteti të lashtë”.

Në fund Basha tha se këtij regjimi politik tashmë i ka ardhur fundi pasi sipas tij, anembanë Shqipërisë po fryn era e ndryshimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!