“Fabrikë” kokaine, arrestohet pronari i “Alba Exotic Fruit”, 6 rastet kur dështoi transporti

schedule18:33 - 6 Prill, 2022

schedule 18:33 - 6 Prill, 2022

TIRANË-  Pronari i firmës Alba Exotic Fruit, Eduart Dauti është arrestuar sot në Tiranë. 51 vjeçarit i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Ai është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada” nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 pasi kompania “Alba Exotic” që ai administron është kapur 6 herë me ngarkesa kokaine teksa i kalonte në vendin tonë.

Lexo edhe: U kap 6 herë me kokainë, SPAK sekuestron kompaninë “Alba Exotic Fruit”

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Rada”, bënë kapjen e shtetasit: – E. D., 51 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, gjatë kontrolleve, në kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”, në disa raste, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë”, thotë policia.

Lexo edhe: Kapet kokainë në portin e Durrësit, e vendosur në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit”

Ngarkesa e fundit me kokainë e “Alba Exotic Fruit” ra në rrjetat e policisë me 12 tetor në portin e Durrësit. Në një nga kontejnerët që vinte për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, është kapur një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë kokainë. Kujtojmë se kjo është e gjashta herë që në kontejnerët e kësaj kompanie gjendet kokainë. Hera e pestë ishte më 7 shtator, ku u kapën rreth 7.7 kg kokainë e ndarë në 8 pako. Saga nuk ndalet me kaq pasi më datë 26 dhe 29 korrik u gjetën sasi 5 deri në 7 kg kokainë te pjesa e ventilimit, dhe po ashtu edhe më datë 12.10.21. Kujtojmë se në vitin 2019 kësaj firme iu kap në Greqi në portin e Pireut një ngarkesë prej 137 kg kokainë që si destinacion final kishte portin e Durrësit. Në atë kohë kokaina u zëvendësua me oriz nga DEA amerikane.

‘Alba Exotic Fruit’ është një kompani, e cila vepron në treg prej vitit 2011 dhe rezulton të jetë në pronësi Eduart Dautit dhe Barjon Gumenit. Ky i fundit u arrestua më 13 korrik, kur policia zbuloi ngarkesën prej 11.6 kilogramësh kokainë, për të cilën Gumeni u shpreh se nuk ka lidhje. be.k/abcnews.al