Vllaznia shpesh është cilësuar si “djepi i futbollit” pasi shumë lojtarë nga Shkodra kanë arritur të bëhen lojtarë të mëdhenj në futboll.
Për këtë shkodranët kanë menduar të hedhin sytë edhe nga e ardhmja, pasi ditën e sotme kanë zyrtarizuar edhe firmosjen e kontratës me një lojtar premtues. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin, Paolo Pjeshka, i cili tashmë ka firmosur kontratë profesioniste me skuadrën e parë të kuqebluve.
Mesfushori 19-vjeçarë do të jetë pjesë e skuadrës për 3 sezone e ardhshme me opsion edhe për dy vite të tjera. Lajmi është konfirmuar nga vetë skuadra shkodrane në rrjetet sociale, ndërsa i pranishëm për firmën e talentit Pjeshka ishte edhe presidenti Alban Xhaferi.
“Përpos angazhimit maksimal për ta mbyllur ashtu si duhet sezonin aktual, te Vllaznia kanë filluar të mendojnë edhe për të ardhmen dhe për këtë arsye, ka filluar procesi i firmosjes së kontratave me futbollistët e ekipit të rinjve të klubit tonë.
I pari që ka hedhur firmë ditën e sotme ka qenë mesfushori me tipare sulmuese Paulo Pjeshka. Në prani edhe të presidentit Alban Xhaferi, 19 vjeçari ka firmosur të parën kontratë profesioniste teksa do të jetë pjesë e Vllaznisë për 3 vitet e ardhshme, me të drejtë shtyrje edhe për 2 të tjera. Procesi do të vijojë edhe me firma të tjera, sepse klubi i ka sytë nga elementët cilësorë të Akademia e tij. Suksese Paulo Pjeshka!”, shkruan klubi i Vllaznisë në rrjetet sociale.
/f.a/abcnews.al