Dita Botërore e Autizmit, Manastirliu: Së shpejti hapet Qendra Terapeutike në Kombinat

schedule13:28 - 2 Prill, 2022

schedule 13:28 - 2 Prill, 2022

Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në ekspozitën me punimet e fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, një aktivitet i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të rritur ndërgjegjësimin në Ditën Botërore të Autizmit.

Gjatë bashkëbisedimit me fëmijët, prindërit dhe punonjësit e shërbimeve sociale, Ministrja e Shëndetësisë ka ndarë lajmin e mirë për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, për hapjen e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat.

“Për pak ditë ne do hapin një qendër të re, që është një gjysmë strukturë spitalore dhe që do të ketë mundësi që të ofrojë me metodat me të mira të trajnimit bashkëkohor, trajtime dhe shërbime të fëmijëve me problematika të çrregullimeve të spektrit autik dhe gjithashtu të aftësisë ndryshe, kjo është Qendra e Rehabilitimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve në Kombinat. Ajo çfarë ne kemi bërë -edhe pse në një periudhë të vështirë të pandemisë- është që i’a kemi dalë që të investojmë në qendrat tona të përkujdesjes“, theksoi Manastirliu.

Duke folur për reformimin e sistemit aktual të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, Manastirliu tha: “Deri përpara disa vitesh nuk ka patur një vlerësim të ndarë që bëhej për fëmijën dhe për të rriturin. Sot kemi një vlerësim të dedikuar, i cili vlerësohet nga mjeku dhe nga punonjësi social në komisionet e vlerësimit të aftësisë dhe ka një set kriteresh të dedikuar për vlerësimin e fëmijës. Kjo është falë reformës që kemi bërë dhe falë të gjithë mekanizmave që janë vënë në funksion, për të mbështetur më shumë fëmijët, të cilët kanë nevojë të marrin përveç mbështetjes financiare edhe mbështetjë nëpërmjet shërbimeve psiko-sociale. Kjo reformë vepron dhe orienton ata të cilët kanë nevojë për më shumë shërbime sociale, shëndetësore dhe mbështetje, nëpërmjet skemave të vlerësimit të medikamenteve”, tha Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është e angazhuar drejtpërdrejt për mbështetjen e shërbimeve në territor, përmes Fondit Social.

Ngritja e një fondi të dedikuar për shërbimet sociale, që është Fondi Social, ka mundësuar që në nivel kombëtar, në tre vite, të ngremë 35 shërbime në territor për grupet vulnerabël, përfshirë edhe shërbimet për aftësinë e kufizuar dhe fëmijët e spektrit autik”, tha Manastirliu.

Në nivel kombëtar ofrohen shërbime në 9 qendra rezidenciale dhe ditore, Qendrat e Zhvillimit të Përkujdesit Shoqëror, që financohen nga buxheti i shtetit dhe ku marrin shërbime rehabilituese dhe 95 fëmijë me aftësi të kufizuar, ndër to dhe fëmijët me çrregullime të spektrit autik.

/abcnews.al