Flamuri kombëtar u ngrit edhe në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 105 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në sheshin “Skënderbej”. Veliaj theksoi se Shqipëria është projekt i përbashkët dhe se 28 nëntori mbi të gjitha është një ditë për të parë përpara.
Në Tirane kurorat pranë monumentit të “Pavarësisë” ishin gjesti i parë në nderim të 105 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Flamuri Kombëtar u ngrit në sheshin “Skënderbej”, tashmë i njohur për simbolikën e bashkimit për gurët dhe pemët nga të gjitha trevat shqiptare që e rrethojnë.
Për herë të parë tingujt e himit kombëtar u luajtën nga 60 kitaristë.
28 nëntori për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj është një moment për të kujtuar sa rrugë është bërë që kur Ismail Qemali dhe patriotë nga të gjitha viset shqiptare ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën Shqipërinë shtet sovran e të pavarur, por edhe një ditë për të parë përpara të bashkuar.
“Unë besoj që 28 Nëntori është një ditë për të kujtuar dhe respektuar të gjithë ata që luftuan për pavarësinë e që bënë pjesën e tyre për ta çuar përpara projektin Shqipëria. Por jam i sigurt që nëse do të kishim sot mundësinë të pyesnim cilindo nga ato burra e gra që patën fatin të bëhen pjesë e asaj dite, mesazhi që do të na jepnin është që 28 Nëntori është mbi të gjitha një ditë për të parë përpara, për të qenë të bashkuar dhe për të punuar fort drejt të ardhmes teksa ëndërrojmë dhe planifikojmë 105 vitet e tjera të shtetit tonë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Historisë së Shqipërisë i hoqi paralele me atë të sheshit “Skënderbej”. Ndërsa apelin e tij ja drejtoi të gjitha brezave.
“Shqipëria nuk është vetëm atdheu, nuk është vetëm shteti ynë. Shqipëria është projekti ynë i përbashkët. Dhe besoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite. Shqipëria është projekti i përbashkët për çdo brez për të bërë pjesën e vet, detyrën e vet, misionin e vet dhe për ta çuar vendin më përpara. Ju besoj e dini dhe historinë e sheshit “Skënderbej”. E dini që ky shesh ka qenë projekti më jetëgjatë infrastrukturor i shqiptarëve, që filloi në vitin 1913 dhe mbaroi vetëm pak muaj më parë në 2017, 104 vjet punë. Është një projekt që në shumë forma në fakt na kujton edhe historinë e Shqipërisë, mënyrën sesi një brez një shekull më parë i dha jetë një projekti, i cili më pas u trashëgua brez pas brezi, deri sa u kurorëzua më në fund me sukses në 2017 për t’u kthyer në kilometrin 0 të gjithë shqiptarëve, në një hapësirë që në mënyrë simbolike përfaqëson unitetin tonë si komb, por edhe rrugën e gjatë për të arritur ambiciet tona”
Ndërsa të parët tanë, luftuan për ngritjen e flamurit apo edhe për çlirimin e vendit nga të gjithë pushtuesit, brezit të sotëm deklaroi kryebashkiaku i lind detyrimi për ndërtimin dhe prosperitetin e vendit.
“Falë Zotit ne jetojmë në një kohë krejt të ndryshme nga ajo e 1912, kur nuk na duhet të përballemi me sfida e vështirësi të nivelit të atyre që u përballën ata burra e gra 105 vjet më parë. Por kjo nuk e bën punën që na pret, për të hedhur hapin tjetër në projektin e ndërtimit të Shqipërisë, më pak të rëndësishme”.
Festa për Pavarësinë në Tiranë nuk mbyllet në sheshin “Skënderbej”. Aktivitete festive dhe panaire me produkte vendase janë organizuar në zonat pedonale të qytetit./abcnews.al