Tomas Strakosha mund të braktisë Lacion dhe Serinë A. Portieri i kombëtares shqiptare kërkohet nga Totenhemi, i cili është gati të paguajë 40 milionë euro për kartonin e tij.
Sezonin e kaluar, Anglia nuk ia doli ta merrte. Tomas Strakosha ishte objektiv i Liverpulit, por 30 milionë eurot e ofruara nga klubi i Premier Ligës iu dukën pak presidentit të Lacios, Klaudio Lotito. Kjo situatë mund të ndryshojë, të paktën siç shkruajnë mediat në Itali. Gazeta “Il Mesaxhero” e Romës jep informacionin se Totenhemi është gati të paguajë 40 milionë euro, aq sa kërkon Lacio, vetëm e vetëm për ta marrë edicionin e ardhshëm.
Portieri shqiptar ka kontratë me klubin e Serisë A deri në vitin 2022, pra ka të ardhme të garantuar, por anglezët duan ta provojnë. Ata mendojnë se do të kenë një zëvendësues të denjë për portierin e tyre veteran, Hugo Joris, i cili është 32 vjeç dhe mund të mos vazhdojë për një kohë të gjatë në nivele tepër të larta.
24-vjeçari vazhdon të jetë një nga ruajtësit më të mirë të portës në kampionatin italian, madje ta bëjë detyrën mirë edhe kur është i dëmtuar. Ai është më i vlerësuari ndër portierët me moshë të re dhe ka një meritë të madhe që Lacio ka ende shpresë që të kualifikohet për në Champions, si dhe ndodhet në zonën e Ligës së Europës./abcnews.al