EMRAT/ GJKKO lëshon 9 masa sigurie ndaj të akuzuarve për Inceneratorët, kush janë “Boss-ët” e ndaluar

schedule09:57 - 29 Mars, 2022

schedule 09:57 - 29 Mars, 2022

GJKKO ka lëshuar 9 masa sigurie për biznesmenë dhe zyrtarë të përfshirë në aferat korruptive të incneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.

Acbnews.al, mëson se që në orët e para të mëngjesit policia ka nisur arrestimet e personave ndaj të cilëve është prerë një urdhër arrest.

Mes personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhër ndalimi në lidhje me aferën e inceneratorëve është ish-administratori i një kompanie, i identifikuar si Florian Muça, aktualisht drejtori i “AlbPetrol”.

Operacioni për ndalimin e personave të tjerë në kërkim vijon edhe në këto momente, ndërsa mësohet se, SPAK ka marrë indicie edhe nga gjetjet e dala nga Komisioni Hetimor i zhvilluar pak kohë më parë.

Kujtojmë se në kërkim për këtë çështje janë shpallur Mirel Mërtiri, Stela Gugallja si dhe Klodjan Zoto.

I akuzuar për përvetësimin përmes korrupsionit të 3.7 milionë euro në burg për këtë çështje është ish-ministri i Mjedisit, Lefter koka ndërkohë që janë marrë në pyetje nga SPAK dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi si dhe deputeti socialist, Alqi Bllako.

Më 7 mars, në Tiranë, Komisioni Hetimor parlamentar për incineratorët zhvilloi mbledhjen e fundit, ku u paraqitën dy raporte me përfundime të kundërta nga opozita dhe nga shumica.

Për socialistët, lejet dhe ndërtimi i tre incineratorëve ishin në përputhje me ligjin, ndërsa opozita theksoi se nga këto procedura korruptive buxheti i shtetit u dëmtua me 430 milionë euro.

Të dyja palët i bënë thirrje SPAK-ut të thellojë hetimet mbi aferën për të cilën, deri tani është paditur për korrupsion, ish ministri i mjedisit Lefter Koka.

Kryetarja opozitare e komisionit, Jorida Tabaku, paraqiti një raport prej 120 faqesh, i cili në fund nuk u miratua nga shumica e votave të anëtarëve socialistë të këtij komisioni hetimor.

Por anëtarët socialistë të këtij komisioni dhanë vlerësime krejt të kundërta në fund të hetimeve. Nënkryetarja e parlamentit dhe nënkyetarja e këtij komisioni, Ermonela Felaj, deklaroi në emër të shumicës se opozita keqpërdori fuqinë e këtij komisioni për të bërë propagandë kundër qeverisë të pabazuar në prova e fakte.

Në raportin voluminoz të socialistëve thuhet se me lejet, procedurat dhe zbatimin e projekteve për 3 incineratorët ligjet janë zbatuar me përpikmëri dhe në tërësi janë respektuar afatet e ndërtimit.

SPAK arrestoi në mes të dhjetorit ish ministrin e mjedisit Lefter Koka nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, pastrim parash, korrupsion e rryshfete afro 3.7 milionë euro lidhur me projektin e koncesionit të impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan.

Ish ministri Koka i mohoi akuzat në sallën e gjyqit, duke u shprehur se kishte zbatuar vetëm ligjin. Madje avokati i tij deklaroi se momenti politik kishte ndikuar në veprimet e SPAK-ut.

Përveç ish ministrit Koka, dy urdhëra të tjerë arresti kanë dalë për administratoren e kompanisë që fitoi koncensionin e Elbasanit Stela Gugalla, dhe administratorin e kompanisë që kreu punimet, Klodian Zoto, i cili zotëron dhe 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!