E hëna në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin nisi me diskutimin mbi lumturinë në vendin tonë, duke qenë se doli ndër vendet e fundit në botë për këtë ndjenjë. Të ftuar ishin Nexhi Beqiri, Margaret Shllaku dhe Franka Konomi, të cilat dhanë mendimin dhe përvojën e tyre në lidhje me konceptin dhe ndjesinë e lumturisë. Nexhi Beqiri me profesion avokate theksoi se është përballur me raste të ndryshme në punën e saj të përditshme. Sipas saj, ka persona që ndjekin një rrugë të gabuar për të përfituar dhe jetuar luksin ndërkohë që janë vetëm 22 dhe 23 vjeç.
“Ka kohë që njerëzit janë të çoroditur, cilësia ka rëndësi. Vajzat e reja lakmojnë, iu ngjiten njerëzve që ndoshta kanë pushtet, kanë një mundësi për tu promovuar, kanë para, kjo është kalimtare… ka raste që kanë shkuar deri në lidhje jashtëmartesore, janë lidhur me njerëz që kanë përfunduar në burg për drogë, për vrasje dhe është shkatërruar komplet jeta e tyre. Janë lidhur me njerëz me diferencë të madhe moshe dhe kur kanë kuptuar se çfarë është jeta kanë thënë stop më mirë po eci vetë”.
A është lumturi të pasurit bizhu të shtrenjta apo një udhëtim në Dubai?
Për këtë Margaret theksoi: “Luksi mbaron, qejfi mbaron. Ti kthehesh nga Dubai, ai është një fragment i jetës tënde dhe ti ndoshta kur e kujton atë nuk është kaq i këndshëm, në të vërtetë është ajo që ti ndjen brenda dhe ti bën për veten”.
Ndërsa Franka pohoi se gjithçka lidhet me veten tonë, pasi atë që kemi së brendshmi atë e shprehim së jashtmi.
“Duhet të ndajmë çfarë është lumturia e shpirtit dhe egos. Pasiguria dhe boshllëku është i brendshëm dhe meqenëse kjo është ajo që shitet, krijohet një iluzion se do ta gjej tek jashtmja, por e vërteta e ti bashkohmi ligjeve universale dhe hyjnore gjithçka fillon nga brenda për ta shfaqur së jashtmi”./abcnews.al