Socialistët janë bërë bashkë jo duke shpresuar, por të bindur se në 30 Qershor do t’i fitojnë të 61 bashkitë. Ndryshe nga herët e tjera, Kongresi i Partisë Socialiste voton deklaratën e përbashkët që u thotë shqiptarëve ndër të tjera se u lind detyra që t’i përfaqësojnë pas asnjë dallim partiak pas vendimit të opozitës për të djegur mandatet.
Votën unanime e dhanë pasi dëgjuan ministrat që folën për vizion, investime dhe për mbështetje që duhet të vazhdojë t’u jepet, në veçanti kryeministrit Edi Rama.
Kongresi i Partisë Socialiste konfirmoi kandidimin e 5 kryebashkiakëve, Erjon Veliaj në Tiranë, Armando Subashi në Fier, Sotiraq Filo në Korcë, Dritan Leli në Vlorë e Majlinda Bufi në Roskovec. Kësaj liste i janë shtuar edhe dy kandidatë të rinj, Pjerin Ndreu në Lezhë dhe Gledian Llatja në Elbasan.
Si forumi më i lartë i Partisë, iu dërgua ftesë edhe atyre që e themeluan dhe e drejtuan në vitet e para. Ish-kryeministri Fatos Nano nuk erdhi, por atij dhe atyre që nuk ishin iu dërguan duartrokitjet e delegatëve.
“Prandaj do t’ju lutesha një duartrokitje të merituar për çdo socialist dhe çdo socialiste që nuk është sot këtu me ne, por është pjesë e kësaj partie të madhe.
Për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite, të cilët e kanë bërë Partinë Socialiste forcën e vetme me orientim të spikatur progresist në Shqipëri”.
Ndërsa ish-kryetari i Kuvendit Sërvet Pëllumbi jo vetëm pranoi, por dha edhe mendimin e tij për situatën që po kalon vendi.
“Unë mendoj se nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Këto situata ndodhin edhe në vende të tjera. Në Shqipëri nuk ka jelekverdhë, bile edhe jeleku antiplumb i Berishës është vjetëruar”.
Kongresi i Partisë Socialiste nisi me himnin e flamurit shqiptar dhe u mbyll me himnin Evropian./abcnews.al