Shkodra u trondit nga dy shpërthime të njëpasnjëshme eksplozivi, orët e para të mëngjesit të sotëm. Shpërthimet ndodhën në dy biznese në pronësi të emrave të njohur në kryeqendrën e veriut.
Sipas policisë rreth orës 02:20 në derën e supermarketit në pronësi të Florenc Markut, është vendosur lëndë plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Mësohet se godina në të cilën ndodhej supermarketi i Markut është në pronësi të familjes Lici.
Lexo edhe: Njëra pronë e Xhemal Bushatit, tjetra e familjes Lici, çfarë fshihet pas shpërthimeve në Shkodër
Ndërsa shpërthimi tjetër ndodhi në derën e një biznesi tjetër privat, butik rrobash në pronësi të Xhemal Bushatit, ish-kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Shpërthimet me tritol duket se janë kthyer tashmë në fenomen në zonën e Shkodrës.
Më i fundit është regjistruar vetëm dy ditë më parë në Vaun e Dejës.
Në banesën e një 66-vjeçari u vendosë lëndë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Kjo ngjarje vijon të mbetet pa autor, ndërsa policia ka njoftuar se po punon për identifikimin dhe kapjen. /abcnews.al