Spanja, furnizuesi i ardhshëm i Europës me energji?

schedule09:21 - 25 Mars, 2022

schedule 09:21 - 25 Mars, 2022

Ambiciet e Spanjës në pokerin që luhet për energjinë janë të mëdha. Por për këtë lipset bashkëpunimi me Francën.

Maroku dhe Spanja nuk janë vende mike, por janë të varura ekonomikisht nga njëra tjetra. Edhe Algjeria, që sapo u vizitua nga kryeministri Pedro Sánchez nuk është vërtet një nga vendet partnere të këtij vendi europian. Por me sulmin e Putinit ndaj Ukrainës dhe fundin e Nord Stream 2 gjithçka shihet ndryshe. Për Spanjën kanë ndryshuar disa gjëra sa i përket gjendjes së re gjeostrategjike.

Kontaktet e saj ekonomike tradicionalisht të mira me vendet arabe dhe botën afrikano-veriore, parqet e shumta me energji diellore dhe energjinë e erës, si dhe gjashtë terminalet me gaz të lëngshëm (LNG), me një të shtatin në ndërtim kanë tërhequr vëmendje të re. Njëkohësisht lidhjet që duhen forcuar me Nigerinë dhe furnizuesit e tjerë të lëndëve të para.

Spanien LNG-Tanker

Anije spanjolle transporti për gazin e lëngshëm (LNG)

Spanja prodhon 21 përqind të energjisë që konsumon nga burimet e renovueshme dhe në këtë mënyrë nuk ka probleme me furnizimin e energjisë. Për mediat spanjolle ky është shanci i madh që ka vendi për t’u kthyer në agjentin e ardhshëm europian në fushën e energjisë.

Riaktivizim i MidCat

Spanja, që siç e tregoi sërish edhe pandemia, është shumë e varur nga turizmi, do që 140 miliardë eurot që jepen nga Brukseli prej fondit Next Generation Fonds t’i përdorë për ta bërë ekonominë spanjolle sa më ekologjike. Këtu bën pjesë edhe prodhimi i hidrogjenit me rrugë ekologjike. Këtë gjë do edhe shefja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen, e cila ka vizituar disa herë Madridin. Përveç të tjerash ajo është e interesuar edhe për riaktivizimin e projektit MidCat (Midi Catalonia) linjës së gazit midis Spanjës dhe Francës. 80 kilometra të gazsjellësit me kapacitet 7,5 miliardë metra kubik (sa për krahasim: Nord Stream 1: 55 miliardë metra kubik) janë ndërtuar në territorin spanjoll. Më 2019 punimet e ndërtimit janë ndërprerë.

Spanien Protest gegen Gas-Pipelines

Aktualisht ekzistojnë vetëm dy linja krahasimisht të vogla, që transportojnë gaz nga Navarra dhe vendi i Baskeve në drejtim të Francës. Ministrja spanjolle e ambientit, Teresa Ribera kritikoi ditët e fundit Francën, që nuk do të bashkëpunojë në projektin MidCat. „Problemi kryesor është ai i financimit. Duke dalë nga loja Nord Stream 2 tema bëhet sërish aktuale,” thotë eksperti spanjoll për Afrikën e Veriut, Ignacio Cembrero.

Spanja do që ta ndajë çmimin e gazit nga ai i rrymës

Kryeministrit Pedro Sánchez do t’i duhet fillimisht që të ulë çmimin e energjisë, për të qetësuar ekonomitë shtëpiake spanjolle të goditura nga pandemia, katastrofa e borës, inflacioni dhe thatësira e madhe. Taksat mbi vlerën e shtuar janë hequr tashmë nga çmimi i rrymës, por opozitës kjo nuk i mjafton. Për ta shkëputur çmimin shumë të lartë të gazit nga pjesa tjetër e tregut, në mënyrë që burimet e gjelbërta si prodhimi i energjisë nga uji, dielli dhe era të bëhen më interesante, Sánchezi nisi një udhëtim nëpër Europë.

Ai do që për këtë gjë të arrihet konsenus në BE. Disa vëzhgues të mediave shohin se për Spanjën hapet në këtë çështje një dritare si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, të tjerët mendojnë se misioni që ta kthejë Spanjën në furnizues energjie është një iluzion. „E qartë është se që në vitin 2025, falë parqeve të shumta energjetike të erës dhe diellit ne do të arrijmë të kemi çmim rryme 50 euro pro megavat, ndërkohë që në Gjermani dhe Francë çmimi do të jetë nga 60 në 70 euro,” thotë Luis Merino, kryeredaktor i gazetës Energías Renovables, i cili i referohet të dhënave të operatorit spanjoll të tregut të rrymës, Omel. Kështu Spanja mund të kthehet në vend interesant si eksportues energjie.

 Ndryshimi i strategjisë do kohë

Një gjë e tillë ndodhi që në janar 2022, kur Spanja eksportoi në Francë më shumë rrymë elektrike se sa importoi. „Nëpërmjet dendësisë së ulët të popullsisë ne kemi mundësinë të ndërtojmë impiante të tjera hidraulikë dhe të investojmë në burime si ngrohtësia e tokës,” thotë Roberto Gómez-Cálvet, ekspert energjie në Universidad Europea në Valencia: “Por kjo strategjie e gjithanshme e qeverisë aktuale, që parimimsht është në rregull, do vite që të vihet në jetë.”

Spanien I Tabernas I Heliostaten

Ai mendon se heqja dorë nga përdorimi i qymyrit, që ka vetëm pak vite që ka ndodhur, ka qenë gabim po të kihet parasaysh situata aktuale. Spanja ka vetëm 5 centrale atomikë në punë, të cilat mendohet të shkëputen nga rrjeti vitet e ardhshme: „Por për këtë nuk mund të mendohet këto momente,” thotë Gómez-Cálvet. Aq më shumë që Sánchez do që tëeksportojë energji.

Majorka si “laborator”

Eksperti i energjisë mendon se prodhimi i hidrogjenit të gjelbërt është shumë i shtrenjtë dhe me efektivitet të ulët: „Por aktualisht nuk duket që në tryezë të kemi ndonjë mundësi tjetër për të zëvendësuar naftën dhe gazin që mungon.”

Për këtë arsye në Majorka ka nisur ndërtimi i fabrikës së parë të prodhimit të hidrogjenit të gjelbërt. Ai pritet të shihet si referues teknik për Europën Jugore „Aktualisht kemi të bëjmë me një lloj laboratori,” thotë Gómez-Cálvet.

Spanien Regierung Pedro Sanchez Erneuerbare Energie

Pedro Sánchez

Për të realizuar ëndërrën e Sánchez‘-it, që ta kthejë Spanjën në prodhues të rëndësishëm energjie, duhet importuar shumë gaz nga SHBA, thotë Roberto Centeno, ish-drejtues në ndërmarrjen spanjolle të gazit, Enagás: „Ne donim në atë kohë të shtronim linjat me Francën, por për të sjellë në Spanjë gaz nga Rusia, dhe jo anasjelltas.” Algjeria nuk mund të zëvendësojë Rusinë si furnizues i Europës.

Spanja zotëron aktualisht 35 përqind të rezervave të lëngshme të gazit të BE. Portugalia, e cila zotëron po ashtu terminale gazi të lëngshëm, e përkrah ëndërrën e Sánchezit dhe sheh tek ajo shance edhe për vendin e vet, për të investuar edhe më shumë tek energjitë alternative.

Cembrero sheh se me gjendjen aktuale shfaqen për Spanjën shumë probleme të reja gjeopolitike: „Linjat e gazit nga Algjeria në Marok, me të cilat Spanja do të mbulonte një pjesë të nevojave të veta për gaz, janë bllokuar për shkak të grindjeve politike. Me rivendosjen e marrëdhënie në fushën e energjisë midis Algjerisë, Marokut dhe Spanjës, vijnë në tavolinë shumë probleme të tjera si përshembull përkrahja e mundshme e terroristëve islamik në Afrikë si dhe statusi i Saharasë Perëndimore,” mendon Cembrero. Por kurrkush nuk i shpëton dot bërjes së kompromiseve të padëshiruara në politikën energjetike në Europë, sepse puna është shumë me spec.  /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!