Policia shpall në kërkim Dervis Arapin si person që mund të ketë dijeni për vrasjen e Jurgen Kurtit. 33-vjeçari është djali i Agim Arapit, të vrarë në prill të 2017-ës në Durrës, ndërsa fletë-thirrja për dëshmi iu dorëzua nënës së tij, Vjollca Arapi.
Pas ekzekutimit të tipit mafioz të Jurgen Kurtit në Tirane, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së hënës, uniformat blu shpallin në kërkim policor Dervis Arapin.
33-vjeçari është djali i Agim Arapit, i cili u vra dy vjet më parë në Durrës në ambientet e biznesit të tij. Për atë krim u hetuan dhe më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata e qytetit bregdetar 26-vjeçari Kurti.
Lajmi për shpallje në kërkim të Dervis Arapit, u bë i ditur fillimisht nga nëna e tij, Vjollca Arapi. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për ABC News se, Arapi nuk iu është përgjigjur thirrjes së prokurorisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen, ku mbeti i vrarë Jurgen Kurti në hyrje të banesës së tij në rrugën “Zef Jubani”.
Nga sistemi TIMS, si edhe nga pretendimet e të ëmës, Dervis Arapi rezulton të ketë qenë për herë të fundit në Shqipëri në muajin Janar. Pista kryesore që po heton policia është ajo e hakmarrjes, ndërsa nuk përjashtohen edhe pista të tjera si fajdet apo prishje e pazareve të drogës. Ndërkohë, të martën materialet u referuan në prokurorinë e Tiranës, nga policia e kryeqytetit për dy vepra penale; vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Prokuror i çështjes është Zeqir Hoxha, ndërsa provat materiale të sekuestruara nga oficerët e policisë gjyqësore janë të pakta, duke e vënë në pozitë të vështirë organin e akuzës, për vrasjen e Jurgen Kurtit. Për ekzekutimin e 26-vjeçarit, policia ka marrë në pyetje shumë perona, si miq dhe familjarë të viktimës, por, më pas u lanë të lirë./abcnews.al