Kryeministri Rama zhvilloi një takim me fermerët duke theksuar se qeveria ka ndryshuar komplet fytyrën e bujqësisë gjatë viteve të fundit. Sipas tij, bujqësia sot nuk i ngjan fare asaj të para 7-8 viteve, ndërsa theksoi se trefishimi i çmimit të hekurit ka bërë që të bllokohen një numër i madh investimesh publike dhe private.
Rama është duke u takuar me fermerët ndërkohë që para zyrës së tij janë duke u mbledhur qytetarët që kërkojnë nga qeveria të marrë masat për të ulur çmimet.
Kryeministri theksoi se gjatë këtyre viteve është dyfishuar sasia e tokës që punohet.
“Kjo konfirmohet edhe nga raporti eksporte/ importe. Më parë eksportonim 1 dhe importonim 7, kurse tani jemi 1/ 3. Eskportet tona bujqësore kanë shkuar thuajse afër gjysmë milliard euro, ndërkohë që ishin 120 milion. Duam që të shkojmë deri në 1 miliard eksporte deri në fund të mandatit”, tha Rama duke shtuar se lufta e Ukrainës është një taksirat tjetër që duhet të kalojmë pas tërmetit dhe pandemisë.
“Bëhet fjalë për një luftë që po ndikon të gjithë botën. Është një fuqi e madhe tregtare si Rusia dhe një ndër prodhueset kryesore të drithërave siç është Ukraina. Janë dy forca dhe tregje të rendësishme që kanë çoroditur të gjithë dynjanë.
Sot, në Shqipëri kanë ndaluar pjesa më e madhe e investimeve publike dhe private: Sepse hekuri ka shkuar trefish. Pse ka ndodhur kjo? Sepse kontratat tona janë me çmimin e hekurit tre herë më pak. Hekuri është themelor në ndërtim.
Dhe tani që të vazhdojnë ata, na thonë që s’mund të zbatojnë kontratën ndërkohë që është trefishuar çmimi për shkak të luftës. Çfarë duhet të bëjmë ne? Të shtojmë financat apo të themi stop deri sa tëmbarojë kjo situatë. Ka shumë që thonë të lem investimet, por kjo çon shumë njerëz pa punnë në shtëpi dhe humbje nga taksat”, tha Rama. /abcnews.al