Protesta e pestë e opozitës brenda një muaji kulmoi sot me pjesëmarrjen masive të qytetarëve, ndërsa qytetarët vranë frikën. Këtë deklaroi në studion e Mbrëmje në ABC News demokrati Enkelejd Alibeaj, i cili shtoi se kjo protestë ishte tej pritshmërive të tyre.
“Në krye të një muaji intensiv kulmoi sot me pjesëmarrje masive shumë më tepër pritshmërive tona, tregon jo thjesht një organizimi të mirë të opozitës, por mbi të gjitha evolucionin psikologjik te qytetarët shqiptarë. Te protesta e 16 shkurtit ishte një pikëpyetje a do ta vrisnin frikën? Vetëm 30 ditë pas asaj proteste madhështore në kohë rekord, sot arrijmë në një situatë ku frika është vrarë jo vetëm te ata që besojnë te PD”.
ndërsa e quajti ilegjitim parlamentin aktual, në studion e ABC News Alibeaj përsëriti edhe njëherë arsyet dhe shkaqet që e çuan opozitën të ndërmerrte një akt të tillë, që janë mohimi i së drejtës në parlament, raporti dhe përgjimet për shitblerjen e votës dhe së fundi raporti i DASH për Shqipërinë.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme Aliabeaj i koncepton pa Edi Ramën dhe me dëshirën e popullit, ndërsa zgjidhjen e sheh te krijimi i një sistemi të ri politik dhe zgjedhje të parakohshme.
“Krijimi i një sistemi politik, zgjedhje të parakohshme. Kohën se kur do bëhen zgjedhjet vendore, kohën e përcaktojnë ata qytetarë. A bëhemi gati ne? Po, ne po bëhemi gati si opozitë, ne jemi gati të marim pjesë në zgjedhje me kushtin e vetëm pa Edi Ramën. zgjedhje të lira e të ndershme pa njeriun që i ka perçudnuar ato. Njeriu i cili sot ka mundësi për t’i prishur ato, Edi Rama le të mos jetë aty”. /abcnews.al