Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 24 vite e 8 muaj burg për tre persona, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin në muajin korrik të vitit 2019 tentuan që me anë të një droni të fusnin drogë dhe telefona në burgun e Shënkollit në Lezhë.
Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Ylli Pjeternikaj që për tre te rinjtë rëndon akuza “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” në tentative dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”. Për këto vepra penale është kërkuar dënimi me nga 9 vite e 4 muaj burg për Xhefri Lumaj e Mentadent Veinca si dhe 6 vite burg për shtetasin Xhulio Kola.
Sipas dosjes se prokurorisë, është provuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në orët e vona të mbrëmjes të datës 6 korrik të vitit 2019, përmes dronit kanë tentuar tu fusin 7 pako me lëndë narkotike dhe 3 telefona celular në burgun e Shënkollit. Këto materiale ishin porositur nga një i burgosur me të cilin të rinjtë kishin komunikuar me mesazhe. Rasti identifikua nga punonjësit e policisë së burgut qëpanë një dron të fluturonte në zonën e ndaluar. Për këtë rast ata njoftuan Policinë e Lezhës, e cila ndërhyri dhe neutralizoi te rinjtë.
Pas bllokimit të dronit, policia gjeti të lidhura në një qese plastmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë me tre karta. 3 personat të cilët po drejtonin dronin u arrestuan në flagrancë 1 km larg burgut të Shënkollit dhe brenda automjetit të tyre u gjet edhe telekomanda e mjetit. Gjykata e Lezhës do të jape vendimin e saj për 3 personat e pandehur në lidhje me këtë çështje.