Dinamo nuk po kalon një moment aspak të mirë, ku përveç rezultateve negative dhe largimit të trajnerit Bledar Devolli nga pankina, një tjetër situatë nxori në pah problemet e skuadrës jashtë fushe.
Pas humbjes me Kukësin 2-0, tifozët kanë reaguar në rrjetet sociale duke kërkuar përjashtimin e menjëhershëm të Sabien Lilajt, i cili ka pasur një sjellje aspak të mirë kundrejt tifozëve “Blue Boys”.
Klubi ka marrë menjëherë situatën në dorë, ndërsa nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se drejtuesit kanë marrë masa ndaj ish-lojtarit të Skënderbeut. Në njoftim thuhet gjithashtu se Lilaj ka kërkuar edhe ndjesë për veprimin e tij dhe ka premtuar se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar ekipin në këtë situatë të vështirë, ndërsa nuk bëhet e ditur sa është gjoba që iu është vendosur lojtarit.
“Futboll Club Dinamo bën me dije se ka marrë masa administrative dhe financiare ndaj lojtarit Sabien Lilaj, për shkak të sjelljes së tij të pahijshme ndaj tifozëve në përfundim të ndeshjes me Kukësin.
Me porosi të veçantë të presidentit Adrian Bardhi, klubi ka shqyrtuar sjelljen aspak dinjitoze të lojtarit karshi tifozëve, duke e dënuar me forcë atë. Bëjmë me dije se askush nuk mund të shkelë mbi të drejtën e tifozëve. Klubi Dinamo ka marrë masa ndaj lojtarit dhe u kërkon publikisht ndjesë tifozëve dhe grupimit “Blue Boys”, të cilët janë energjia dhe lojtari i 12-të i skuadrës.
Lojtari Sabien Lilaj ka kërkuar ndjesë për veprimin e tij dhe ka premtuar se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar ekipin në këtë situatë të vështirë”, thuhet në njoftimin e klubit.
/f.a/abcnews.al