Rreth 1600 efektivë policie dhe të Gardës së Republikës do të jenë të angazhuar në mbarëvajtjen e protestës së kësaj të shtune që pritet të mbajë opozita përpara Kryeministrisë. Mësohet se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e pasme të Kryeministrisë.
Ndërkohë në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”. Ata janë të pajisur vetëm me maska kundragaz. Ndërmjet Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur kordonë që do të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve si edhe të manifestuesve. Në gatishmëri do të jenë edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës.
Policia ka vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë. Qëllimi është për të dokumentuar provat materiale nga oficerët e Policisë Gjyqësore nëse manifestuesit do të shkelin ligjin, duke gjuajtur me sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.
Për të ruajtur paprekshmërinë e kamerave të sigurisë, policia është kujdesur që shtyllat ku ato janë të instaluar të jenë të lyra me graso. Kjo gjë u bë, që manifestuesit ta kenë të vështirë për t’i dëmtuar kamerat, ashtu siç ndodhi me qendrat e zërit të Policisë së Shtetit në protestën e 16 shkurtit.
Ndërkohë Garda e Republikës do të përdorë gazin lotsjellës nëse do të tentohet të dëmtohet godina e Kryeministrisë apo të ketë veprime që do të cenojnë sigurinë territoriale të saj./abcnews.al