Sadiku dhe Abrashi rikthehen në kombëtare

schedule13:15 - 14 Mars, 2019

schedule 13:15 - 14 Mars, 2019

Dy lojtarë të rëndësishëm do të jenë sërish pjesë e kombëtares për ndeshjet e radhës në Europian. Sadiku dhe Abrashi lanë pas dëmtimet, ndërsa trajneri Panuçi bëri të ditur listën e futbollistëve për Turqinë dhe Andorrën.

Sërish me mungesa, por edhe me rikthime të mëdha. Kristian Panuçi mund të ndihet i lumtur përgjysmë, ndërsa lajmëron listën e lojtarëve për dy ndeshje zyrtare, ato ndaj Turqisë dhe Andorrës në Euro 2020. Në skuadër do të jenë pas shumë muajsh dy prej lojtarëve më të rëndësishëm, sulmuesi kryesor Armando Sadiku, dhe mesfushori i fortë Amir Abrashi.

I pari kaloi dëmtimin e pësuar në Spanjë dhe gjeti formën me Luganon në Zvicër. Shqiptari i Kosovës vuajti shumë nga dëmtimi në Gjermani, por tashmë është kthyer në formacion tek Freiburg në Bundesligë. Mungojnë, gjithsesi, Odise Roshi ende i pariaftësuar, apo Sokol Cikalleshi i dëmtuar, ndërsa Panuçi ka lënë jashtë lojtarë si Lenjani e Ndoji, për zgjedhje personale teknike.

Kuqezinjve u kthehet edhe sulmuesi Kristal Abazaj që ka fituar formën pas huazimit tek Osijeku në Ligën e Parë të Kroacisë, ku ka shënuar edhe gol. Në mesfushë, është ftuar Kristi Qose, lojtar i elitës në Sllovaki, që po zhvillon sezon shumë të mirë me Ruzomberokun.

Në listë janë 24 lojtarë, ku nuk mungojnë emrat e zakonshëm në portë, mbrojtje apo mesfushë, ndërsa kombëtarja luan në 22 mars ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” dhe në 25 mars në fushën e Andorrës.

Panuçi do të dalë para mediave të dielën në orën 11:00 në Kompleksin “Tropikal” në plazhin e Durrësit, të njëjtën ditë kur nis edhe grumbullimi, me seancën e parë në orën 15:00./abcnews.al