Sot Elbasani është kryeqyteti i Ditës së Verës. Prej dy ditësh, qyteti ka zbukurimet e festës, ndërsa prej mbrëmjes së kaluar me mijëra njerëz kanë mbërritur në qytet, për të marrë pjesë në festimet e sotme. Në qendër te Elbasanit festa ka nisur me karnavalet, ndërsa nuk do mungojnë lojërat popullore, ekspozitat e koncertet.
Sipas traditës edhe politikanë të lartë vijnë në Elbasan për Ditën e Verës. Është festa që prej vitesh bashkon palët politike.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha, në axhendën e sotme ka të planifikuar takime me familje elbasanase si dhe me përfaqësues të bizneseve. Festimeve dhe aktiviteteve të planifikuara për sot pritet t’i bashkohet dhe kryeministri Edi Rama.
“Ka vazhduar dhe sivjet tradita e bukur e festimeve të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit. Mijëra qytetarë të ardhur nga gjithë Shqipëria janë bërë pjesë e këtyre festimeve. Njëkohësisht në festime marrin pjesë edhe autoritetet më të larta të vendit”, raporton nga Elbasani gazetari Fatos Salliu.
“Them se mirë si gjithmonë. Në fakt ka një çikë njerëz më pak. Pse? Unë gjykoj që ëhtë përpunuar shumë në media e kudo jo do bjerë shi, sinoptikanët, jo do bjerë shi. Tani nuk është një dimër si të tjerat. Ka simbole sa të duash, ballokumja, verorja. Një traditë popullore që është shumë e bukur se është pagane, është shumë e vjetër”, tha një qytetar.
“Riti është ballokumja që është traditë e Elbasanit prej shumë vitesh. Edhe revania. Edhe këto festimet. Karnavalet janë prej shumë kohësh, që kur unë kam qenë e vogël. Ruhet dhe data nuk ndryshohet asnjëherë. Nga argëtimet e fëmijëve që nga mëngjesi, me piknik të qytetarëve nga dreka dhe pasdite argëtimet familjare”, tha një qytetare.
/abcnews.al