Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar analizë të thellë përpara se të dilet në konkluzione. Deklarata e Bardhit vjen ndërkohë ku shumica e grupit parlamentar të PD-së kanë kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës si kryetar.
Në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit, Bardhi tha se PD është në një reflektim të thellë. Sipas tij problemet nuk zgjidhen me individualizim të përgjegjësisë, duke shtuar se nëse është e nevojshme dorëheqja e tij është shumë e thjeshtë që do ta bënte.
Lexo edhe: A duhet të largohet Basha pas humbjes? Bardhi: Duhet analizë e thellë
“Mos më kërkoni mua çfarë do të bëjë Basha. Mos më kërkoni konkluzione jashtë institucioneve të partisë. Vetëm trajtimi i problematikave i shërben interesit të demokratëve. Çdo tollovitje tjetër mediatike nuk iu shërben interesit të demokratëve. Kemi përgjegjësi ndaj demokratëve. Emrat janë të parëndësishëm përballa sakrificës së demokratëve.
Është nxitim dalja me konkluzione pa analizë. Kam qenë në mbledhjen e grupit ajo që kam dëgjuar nga kolegët ka qenë një qëndrim ndoshta edhe emocional. Në atë mbledhje isha 48 orë pa gjumë, një pjesë e kolegëve ishte po ashtu. Kanë kërkuar zgjidhje. Kanë pasur dhe nga ata që mendojnë se zgjidhja është dorëheqja kryetarit. Ne nuk duhet të dalim në konkluzione pa një analizë të thellë të problemit.
Problemet nuk zgjidhen me individualizim të përgjegjësisë. Të jap dorëheqjen është gjëja më e thjeshtë për mua. Nuk është çështje karrigesh dje emrash, por përgjegjësie. Gazmend bardhi dhe gjithkush tjetër nuk kanë lindur në një pozicion. Do të duhet të bëjmë një analizë të fortë”, tha Bardhi.
Ndërkohë, në një deklaratë të tij, Lulzim Basha deklaroi sot PD është në një proces reflektimi të thellë për humbjen e 6 marsit dhe është i gatshëm të ndërmarrë gjithçka. g.v/abcnews.al