Nga Ajgena Korbi
Nuk po presin as për nisjen e ndonjë mitingu partiak e as të ndonjë proteste, por autobuzin që të çon në qender të qytetit. Ky është një prej stacioneve të linjave urbane në Tiranë.
Me rritjen e çmimit të naftës operatorët e transportit publik kanë mbyllur automjetet në parking e po punojnë me kapacitet të reduktuar.
Mbërritja e autobuzit nxjerr një tjetër sfidë para qytetarëve.
Me fat është ai që gjen një vend, të tjerët duhet të presin ende.
Për tju larguar kaosit ku për të dytën ditë ndodhet transporti publik në kryeqytet ky zotëri dëgjoi këshillën që ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe për të kursyer naftën.
Por rrugën në këmbë nuk mundi ta çojë deri në fund.
Më e rënduar situata paraqitet në mëngjes dhe pasdite kur njerëzit nisen e kthehen nga puna dhe shkolla.
Zemërimin qytetarëve ia ka shtuar dhe paralajmërimi për rritjen e çmimit të biletës së udhëtimit një përdorimëshe në 80 lekë.
Operatorët e transportit Publik prej vitit të shkuar deklarojnë se ndodhen në pamundësi financiare dhe kërkojnë heqje të akcizës për karburantit, TVSH –ës dhe subvencionim të aboneve për disa kategori sociale.
Për situatën e krijuar Abc pyeti pranë ministrisë së Infrastrukturës e cila ja kaloi përgjegjësinë Bashkisë së Tiranës. Kjo e fundit nuk pati asnjë reagim.
Ndërsa presin institucionet të ndërhyjnë për të zgjidhur kaosin e krijuar qytetetarët duhet të vijojnë të përballen me pasojat.
/abcnews.al