Bregu i liqenit të Pogradecit kthehet në depozitim inertesh

schedule13:30 - 13 Mars, 2019

schedule 13:30 - 13 Mars, 2019

Në bregun e liqenit të Pogradecit firmat e ndërtimit kanë shkarkuar sasira të mëdha inertesh. Inspektoriati i Mjedisit ka gjobitur bashkinë, por zyrtarë të kësaj bashkie thanë se nuk janë në gjendje të kontrollojnë të gjithë vijën e liqenit.

Është bregu i liqenit të Pogradecit, por këto pamje tregojnë katastrofën. Vendgrumbullim i mbetjeve urbane dhe një situatë alarmante mjedisore. Në zonën e Gurit të Kuq, subjekte ndërtuese kanë shkarkuar sasi të mëdha inertesh në afërsi të bregut. Por një panoramë e tillë duket se nuk është toleruar nga Inspektoriati i Mjedisit. Bashkia e Pogradecit është gjobitur me një milion lekë.

Humbert Toshi, kryeinspektor i Inspektoriatit të Mjedisit, Korçë: Bashkia në rastin konkret është përgjegjëse pasi duhet të mirë administrojë dhe të konstatojë rastet ku mund të kemi ndotje të mjedisit, sidomos në venet breg liqenore. Nga ana jonë po punohet për identifikimi e subjekteve të cilat mund të kenë depozituar këto inerte. Do merret masë në mënyrë kategorike.

Përveç masës administrative, Inspektoriati i Mjedisit i kërkon bashkisë të pastrojë sipërfaqen e bregut, ku janë hedhur mbetjet inerte, në të kundërt do të shkohet deri në kallëzim penal në Prokurori. Të pyetur nga ABC News, drejtues të zyrës së mjedisit në Bashkinë e Pogradecit thane se bashkia e ka evidentuar dhe gjobitur subjektin, përgjegjës për ndotjen.

Por ata thanë se kërkojnë bashkëpunimin edhe të agjencive të tjera, pasi bashkia e ka të vështirë të menaxhojë dhe mbrojë një vijë bregliqenore prej 37 kilometrash. Sa i takon gjobës, Bashkia e Pogradecit do të ndjekë rrugën gjyqësore, duke e ankimuar masën administrative./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!