Një ditë pas përplasjes me përmbarimin dhe policinë për banesat pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë familjet Llapaj dhe Dervishaj kanë paditur në Prokurori përmbaruesin privat. Ndërkohë kanë kërkuar rekurs për vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës në Gjykatë të Lartë.
Tensioni i një dite më parë në rrugën pranë ish-gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë ja ka lënë vendin qetësisë ndonëse në shtëpitë e familjes Llapaj dhe Dervishaj kanë mbetur gjurmët e përplasjes me përmbaruesit private dhe policinë.
Pas pesë ore rezistencë këta të fundit u tërhoqën nga ekzekutimi i vendimit të gjykatës për të liruar dhe shembur banesat, por tek banorët mbizotëron frika se ata mund të kthehen sërish.
Në shtëpi gjetëm vetëm gratë e familjeve dhe një pirg me dokumente të cilat na i tregojnë për të argumentuar se Aleksandër Gavoci i cili pretendon pronësinë mbi truallin ku ata kanë shtëpitë ka blerë vendimet e gjykatës dhe nuk respekton as kontratën me ta.
Këto shtëpi të ndërtuara në tokë shtetërore sipas banoreve i kanë privatizuar në vitin 1993 dhe që prej vitit 95 familjet enden dyerve të gjykatave.
Familjet kanë paditur në prokurori përmbaruesin dhe kanë kërkuar rekurs të vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës në Gjykatë të Lartë.
Ndërkohë Llapaj ka dhe një apel për kryeministrin i cili një ditë më parë u tregoi respektin për vendimin e gjykatës.
Ndërkohë Blerta Dervishi, punonjësja e policisë të cilës dje iu desh të përballet me kolegët e saj për të mbrojtur banesën, është pezulluar përkohësisht nga detyra me argumentin se nuk ka lejuar përmbarimin të kryejë detyrën./abcnews.al