Basha: Mbështetja e bizneseve dhe hapja e vendeve të punës, qëllim i çdo mirëqeverisje

schedule12:48 - 12 Mars, 2019

schedule 12:48 - 12 Mars, 2019

Gjatë takimeve në Korçë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me të punësuar dhe punëdhënës në biznesin fason. Basha tha se mbështetja e atyre që hapin vende pune për qytetarët është thelbësore për një mirëqeverisje që mendon për ta.

Pas takimeve që zhvilloi me qytetarët, Lulzim Basha nuk u largua nga qyteti i Korçës pa biseduar më parë me biznesin fason atje.

Problemet që kanë, punëdhënës dhe të punësuar, janë sa të ndryshme, aq problematike. Një shpjegim për këtë ja dha ish-ministri i Ekonomisë, Florion Mima.

“Ju ndoshta nuk e perceptoni si ndikon kursi i këmbimit me jetët tuaja dhe pse do duhej që leku të forcohej. Leku duhet të ishte aq i dobët sa ç’ka qenë me euron. Çuditërisht brenda një vit Leku kërcen dhe forcohet. Kjo tregon që ka shumë euro në treg. Nga ka ardhur euro. Ka vetëm një prodhim. Nuk është nga mundi juaj. Është vetëm nga droga. Dëmi total i kursit të këmbimit ka qenë 400 milionë euro”, tha ai.

Kreu i demokratëve paralelizmin mes qeverisë dhe qytetarëve, ja huazoi kryeministrit, për t’ia vënë përkundër.

“Sot kemi shtetin me qeverinë sillen me popullin dhe me shoqërinë njësoj si një prind i keq pijanec që pi alkool dhe nuk i çon bukë fëmijëve. Shqetësimi i parë nuk duhet të jetë sa taksa mbledh e si t’i vjedhë ato taksa. Shqetësimi i parë i qeverisë duhet të jetë sa vende pune të krijojë? Ulja e çmimit të naftës është e domosdoshme që t’iu mbajë juve në treg. Nëse të rritet kostoja e prodhimit dy rrugë ke ose të shkurtosh rrogat e tyre, ose të rrisësh çmimin. Po rrite çmimin del jashtë tregut, po dole jashtë tregut këto do rrinë jashtë pune. Gjërat janë të lidhura zinxhir. Ulja e çmimit të naftës me 300 lekë, ulja e çmimit të energjisë me 35% për industrinë që prodhon dhe sistemi i taksës së sheshtë që do të thotë 9% tatimi i fitimit të korporatës, 9% kontributet shoqërore këto janë masa që do merren menjëherë”, tha Basha.

Që këto hallka të lidhen me njëra tjetrin dhe zinxhiri i shoqërisë të forcohet, kërkohet një pakt kombëtar për ndërtimin e Shqipërisë ndryshe, theksoi Basha.

“Nëna e gjithë kësaj të keqe është asgjësimi i votës së lirë. Nëse vjen qeveria jo me votën e qytetarët, por me votën e krimit nuk do t’ia dijë për qytetarët. Kjo duhet të marrë fund. Nuk shkohet kështu në Europë. Kush na thotë të kundërtën na gënjen, na mashton, s’ka rëndësi në çfarë gjuhe na e thotë”, tha Basha.

16 Shkurti do të jetë mundësia e kujtdo për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e një të nesërme më të mirë dhe për t’u bërë zot në shtëpinë e tyre, përfundoi kreu i Partisë Demokratike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!