Mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste këtë të hënë e ka drejtuar kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Ai i ka kërkuar deputëtëve që të marrin pjesë të gjithë në seancën që do të zhvillohet ditën e mërkurë dhe të përjashtojnë çdo diskutim për opozitën jashtë sallës së parlamentit.
Këtë të henë deputetët socialistë nuk i morën porositë nga Kryeministri Edi Rama, as nga kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla, por nga vetë kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi. Ky i fundit i ka këshilluar ctë bëjnë në seancën parlamentare që do të zhvillohet në 13 mars.
“Të ketë prezencë në seancën plenare dhe disiplinë. Te mos ketë diskutime me objekt opozitën, por ligjet që do diskutohen në rend të ditës. Diskutimet të lidhen me nevojat e qytetarëve”.
Këshillat jepen jo thjesht për të injoruar ata që nuk janë më në sallë por edhe për të shmangur cdo përplasje në hyrje të Kuvendit, aty ku me shumë mundësi do t’i zënë pritë ish kolegët opozitarë dhe mbështetësit e tyre. Atë ditë pritet të bëjnë betimin edhe 6 deputetët të tjerë të opozitës së re siç i ka emërtuar kryeministri Edi Rama zëvëndësuesit e të dorëhequrve.
Seanca plenare e radhës është vendosur të mbahet të mërkurën në 13 mars pasi e enjtja është dita Verës, pushim zyrtar edhe për deputetët e Kuvendit. /abcnews.al