LIVE/ Dhjetë ditë luftë në Ukrainë,mijëra civilë janë vrarë, Rusia konfirmon hapjen e korridoreve humanitare

schedule22:00 - 5 Mars, 2022

schedule 22:00 - 5 Mars, 2022

Këtë të shtunë është shënuar dhe dita e 10 e pushtimit të Ukrainës nga agresioni rus i nisur me 24 shkurt.

Raportimet e fundit bëjnë me dije se për shkak të sulmeve ruse kanë humbur jetën mijëra civilë dhe më shumë se 1.2 milionë njerëz janë larguar për të shpëtuar nga lufta.

Ndërkohë raketat ruse kanë synuar kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë. Një ditë më parë trupat ruse kanë sulmuar  gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë.

Në kuadër të dy raundeve të bisedimeve të zhvilluara mes dy delegacioneve rus dhe ukrainas, sot është vendosur një armëpushim për disa orë në dy qytete  Mariupol dhe Volnovakha me qëllim largimin e civilëve.

Gjithashtu situata e krijuar në Ukrainë, ka sjellë reagimin e të gjithë botës ku shumica e vendeve janë në krah të saj dhe kërkojnë që Rusia të tërhiqet nga sulmet e dhunshme.  Deri më tani SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

Ndiqni më poshtë zhvillimet e sotme nga lufta minutë pas minute

22:38-Zelensky jep alarmin: Forcat ruse po përparojnë drejt termocentralit të tretë bërthamor

Termocentralët bërthamorë në duart e rusëve janë kthyer në një minë me sahat në Ukrainë. Forcat ruse kanë kapur dy termocentrale ukrainase dhe po përparojnë drejt një të treti, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Në një telefonatë me senatorët amerikanë më herët gjatë ditës së sotme, Zelenskyy tha se termocentrali i tretë aktualisht nën kërcënim është termocentrali bërthamor Yuzhnoukrainsk, i vendosur 120 km (75 milje) në veri të Mykolaiv, një nga disa qytete që forcat ruse po përpiqen të mbajnë të rrethuar.

22:28-Bilanci i orëve të fundit: Nëntë avionë e helikopterë rusë u shkatërruan nga ukrainasit

Nëntë avionë dhe helikopterë rusë janë rrëzuar në 24 orët e fundit në Ukrainë. Kështu bënë të ditur Forcat e Armatosura të Ukrainës në Twitter. Sipas tyre, njëri nga avionët e rrëzuar ishte i llojit Su-34.

21:36-Hakerat e njohur sulmojnë faqen e “Sigurisë” Ruse: Del jashtë funksionit

Grupi i njohur i hackerëve Anonymous ka raportuar se kanë sulmuar faqen e internetit të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse. Kjo u bë e ditur me anë të një postimi në Twitter të këtij grupi ku thuhet se faqja e internetit të FSB-së nuk mund të aksesohet, raporton The Kyiv Independent. “Kolektivi i hakerëve “Anonymous” ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e faqes së internetit të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse. Faqja e internetit e FSB-së nuk mund të aksesohet aktualisht, në vend të kësaj shfaq një mesazh gabimi”.

21:22-Turqia dhe SHBA-ja do të koordinojnë përgjigjen ndaj luftës në Ukrainë

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbesin “në koordinim të ngushtë” teksa po punojnë për zgjidhjen diplomatike të pushtimit rus të Ukrainës, tha Ministria e Jashtme e Turqisë pas bisedimeve që zhvilluan të shtunën zëvendësministrat e Jashtëm të dy shteteve. Raportet midis Turqisë dhe SHBA-së kanë qenë të tensionuara viteve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë edhe blerjen nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400 dhe dallimeve të politikave në Siri dhe në lindje të Mesdheut. Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj Ankarasë më 2020 për shkak të blerjes së sistemit S-400.

20:36-Ministri i Ukrainës kërkesë Blinken: Vendosni sanksione shtesë ndaj Moskës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka kërkuar një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, raporton Reuters. Kjo kërkesë e tij është bërë gjatë takimit me sekretarin amerikan i Shtetit, Antony Blinken në kufirin e Ukrainës me Poloninë, të shtunën për të diskutuar përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë gjatë kësaj lufte. “Një diskutim produktiv”, ka thënë ai për takimin me sekretarin e shtetit të SHBA. Sipas tij kanë rënë dakord që hapat e radhës ndoshta do të zbatohen në ditët e ardhshme. Ai tha gjithashtu se korridoret humanitare nuk ekzistojnë në Ukrainë sepse Rusia ka shkelur marrëveshjet.

20:29-Rusia kërkon “derën” për të dalë nga katrahura ku është futur, flet për paqe në Ukrainë

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Alexey Polischcuk ka dhënë sinjale se Rusia po kërkon derën që të dalë nga katrahura që e ka shkaktuar në Ukrainë. Ai ka folur për rikthimin e paqes në Donbass dhe në të gjithë Ukrainën. Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, Polishchuk është deklaruar për luftën e deritanishme në Ukrainë, duke thënë se shpreson që nga negociatat së shpejti të rikthehet paqja në Donbass dhe si rrjedhojë në të gjithë Ukrainën.

19:44-Rusia falënderon shtetet mike nga Afrika për mbështetje, reagon Gjermania: Turp të keni

Ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut ka shpërndarë një shkrim në rrjetin social Twitter duke i falënderuar të gjithë ata që po i mbështesin në pushtimin e Ukrainës. Sipas tyre, Rusia, si 80 vjet më parë, po lufton nazizmin në Ukrainë.19:28-Puma dhe firma e veshjeve të luksit mbyllin dyqanet në Rusi

Prodhuesi gjerman i veshjeve sportive Puma ka pezulluar aktivitetin në të gjitha dyqanet e tij në Rusi.

Gjithashtu firma e veshjeve luksoze në Itali Prada ka pezulluar të gjitha operacionet e shitjes me pakicë në vend, shkruan SkyNews.

19:18-Rusia i bën thirrje BE-së dhe NATO-s të ndalojnë të furnizojnë me armë Ukrainën

Ministria e Jashtme e Rusisë i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të “ndalojnë furnizimin me armë” në Ukrainë, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA. Skynews shkruan se Moska është veçanërisht e shqetësuar se raketat portative anti-ajrore Stinger mund të përfundonin në duart e terroristëve dhe të përbënin një kërcënim për linjat ajrore. Abcnews.al ju sjell zhvillimet më të rëndësishme në ditën e 10 të luftës në Ukrainë

19:10-Mori leje nga Amerika, kryeministri izraelit takohet me Putin në Moskë

Kryeministri izraelit Naftali Bennett u takua për rreth tre orë të shtunën me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, sipas një zyrtari izraelit. Takimi i paparalajmëruar u zhvillua me lejen e administratës amerikane, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Kryeministrit izraelit.

18:35-Raundi i tretë i negociatave Rusi-Ukrainë, zbulohet dita e takimit, vendimtare për luftën

Rusia dhe Ukraina do të zhvillojnë të hënën raundin e tretë të bisedimeve, raporton Skynews.

Lajmin e bën me dije negociatori ukrainas David Arakhamiya, i cili ë një postim në Facebook tregoi ditën kur do mbahet takimi por nuk dha detaje të mëtejshme

18:11-Presidenti i Ukrainës telefonon senatorët amerikanë: Lutja e dëshpëruar

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky ka zhvilluar një bisedë me senatorët amerikanë. The Guardian shkruan se u ka kërkuar ndihmë ushtarake dhe u ka bërë thirrje për të ndaluar zonën e fluturimit mbi Ukrainë për avionët rus.

Zelenskiy thuhet se ka bërë një “lutje të dëshpëruar” për Evropën Lindore për t’i ofruar Ukrainës avionë gjatë një telefonate me senatorët amerikanë. Ai mësohet gjithashtu se ka bërë thirrje për një zonë ndalim fluturimi,, ndalim të naftës ruse dhe pezullimin e Visa dhe Mastercard në Rusi.

Reuters raporton se Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës në Senat, tha pas thirrjes të shtunën: “Këta avionë janë shumë të nevojshëm. Dhe unë do të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar administratën për të lehtësuar transferimin e tyre. 

17:59-Rusia merr në kontroll spitalin psikiatrik në Ukrainë, guvernatori: S’kanë ilaçe, as ujë
Forcat ruse kanë marrë nën kontroll një spital psikiatrik me 670 persona brenda në Borodyanka, tha guvernatori i Kievit.

“Nuk dimë se si t’i evakuojmë këta njerëz, si t’i ndihmojmë ata”, tha Oleksiy Kuleba.

“Atyre u mungon uji dhe ilaçet”, shtoi ai

17:53- FMN: Lufta në Ukrainë do të ketë ndikim të rëndë në ekonominë globale

Lufta në Ukrainë tashmë po rrit çmimet e energjisë dhe grurit dhe do të ketë një “ndikim të rëndë” në ekonominë globale, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në një deklaratë, FMN tha se lufta kishte dërguar një valë prej më shumë se 1 milion refugjatësh në vendet fqinje dhe shkaktoi sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë.

“Pasojat ekonomike janë tashmë shumë serioze,” tha FMN. 

17:33-Botë tjetër, Putin zhvillon takim me stafin e kompanisë ajrore sikur mos të kishte luftë, me lule dhe tryezë plot ushqim

Ndërsa ushtarë e civilë vdesin për ditë nga lufta Rusi-Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar me stafin e linjës ajrore shtetërorë Aeroloft, e cila bllokoi të gjitha fluturimet e saj më botën përveç Bjellorusisë.

I ulur në një tavoline me rreth 20 gra, pamjet janë krejt ndryshe nga realiteti i hidhur i luftës.

Një tryezë me lule, ushqim të mirë dhe pije, ndërsa mijëra ukrainas qendrojnë me orë të tëra në kufi në mes të ftohtit pa ushqim dhe strehë për të shkuar në një vend të sigu

16:26 –VIDEO/ Çfarë guximi! Rusët qëllojnë me armë, ukrainasit s’bëjnë as një hap pas

Krahas luftës me armë në mjaft zona, ukrainasit janë duke protestuar edhe në qytetet ku rusët kanë marrë kontrollin pas përballjeve të ashpra të armatosura.

Njëra prej protestave është duke u zhvilluar në qytetin Kherson që u mor nga rusët pak ditë më parë.

Sipas BBC, rreth 2,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar mëngjesin e sotëm. Ata marshuan nëpër qendrën e qytetit, duke valëvitur flamuj dhe duke kënduar himnin kombëtar të Ukrainës, ndërsa thërrisnin “Rusë shkoni në shtëpi” dhe “Khersoni është Ukrainë”.

Lexoni KËTU gjithçka nga lufta sot në Ukrainë

Në këtë protest shihet se si ukrainasit i afrohe bazës së marrë nga rusët duke mos iu trembur edhe të shtënave prej tyre.

16:23 – OKB bën bilancin e viktimave, 351 civilë ukrainas të vrarë në 10 ditë luftë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se në 10 ditë luftë janë vrarë 351 civilë ukrainas, ndërsa 707 janë plagosur.

Megjithatë, agjencia pranon se numri ka të ngjarë të jetë më i lartë, shkruan skynews. Ndërkohë Ukraina pretendon se të paktën 2,000 civilë kanë vdekur në konflikt.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë se “marrja e informacionit nga disa lokacione ku luftimet intensive kanë vazhduar u vonua dhe shumë raporte ishin ende në pritje të vërtetimit”.

Qindra viktima mësohet se kanë ndodhur në Volnovakha, ku evakuimet do të bëheshin gjatë një armëpushimi të përkohshëm sot.

Megjithatë, kjo u ndal papritur pasi granatimet vazhduan përgjatë korridorit humanitar.

16:01 – Kievi në luftë, ukrainasit e armatosur verifikojnë këdo që lëviz, çfarë ndodhi me ekipin e ABC

Raportimi në zona lufte është gjithnjë i vështirë për gazetarët, të cilëve iu duhet të përballen me shumë rreziqe dhe të papritura. Ekipi i ABC me gazetarin Taulant Kopliku dhe operatorin Ardian Kamberi ndodhen aktualisht në Kiev, nga ku edhe po raportojnë që prej mbrëmjes së djeshme.

Mësohet se gjatë mëngjesit të sotëm, ashtu edhe si shumë kolegë nga televizionet e tjera, ekipit të ABC iu desh të qendronte 45 minuta në një pikë karburanti në periferi të Kievit deri sa aktivistë të armatosur të ushtrisë së Ukrainës bënë verifikimet përkatëse duke u bindur se ishin gazetarë dhe ndodheshin aty për të raportuar dhe asgjë tjetër.

Ngjarja

Ekipi i ABC ndaloi në një pikë karburanti në periferi të Kievit dhe operatori filloi të merrte planet që do t’i përdorte për mbulim dhe kronika. Në këtë moment, pronari i karburantit njofton me telefon ekipet e vullnetarëve të armatosur për të ardhur që të bënin verifikimin e ekipit të ABC për të hequr çdo dyshim ndaj tyre. Për çështyje minutash në vendin e ngjarjes, siç raporton gazetari Taulant Kopliku, mbërritën vullnetarë të armatosur si edhe vetë policia, të gjithë të armatosur duke i mbajtur aty për 45 minuta.

Ukrainasit e pyetën ekipin e ABC se përse ndodheshin në Kiev duke marrë përgjigje se ishin aty për të raportuar mbi luftën që po ndodhte. Pasi u bindën, vullnëtarët ukrainas të armatosur si edhe policia e lanë të lirë ekipin e ABC për të vijuar punën e tyre.

15:26- Armëpushimi i përkohshëm, 400 persona janë evakuuar deri më tani nga Ukraina

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm 400 njerëz janë evakuuar nga Volnovakha dhe vendbanimet përreth gjatë armëpushimit jetëshkurtër. Plani fillestar ishte evakuimi i më shumë se 15,000 civilëve nga rajoni gjatë armëpushimit të përkohshëm, i cili filloi në orën 09:00, shkruan BBC

“Megjithëse qëllimi ynë ishte evakuimi i më shumë personave, ne nuk arritëm dot të përmbushim atë që kishim synuar sepse rusët filluan të bombardojnë Volnovakha pa mëshirë dhe evakuimi i banorëve u bë i pamundur.”

Zyrtarët ukrainas njoftuan që edhe evakuimi në Mariupol ishte pezulluar për shkak të shkeljes së armëpushimit.

14:45- Kërcënimi rus, Franca sjell avionët dhe aeroplanmbajtësen në Ballkan

Pas shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë, Franca planifikon të nisë fluturimet stërvitore me avion të shpejtë mbi Bosnje-Hercegovinë, deklaruan forcat Paqeruajtëse të Bashkimit Evropian në Bosnje.

“Aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle aktualisht po kryen trajnime operacionale në Detin Mesdhe. Nga e hëna e 7 marsit, avioni Rafale do të kryejë fluturime në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Bosnje-Hercegovinën,” tha Eufor, forcat Paqeruajtëse të Bashkimit Evropian në Bosnje.

Kjo masë vjen pasi Bashkimi Evropian javën e kaluar njoftoi se po shtonte forcat e saj Eufor nga 600 në 1100 për të parandaluar paqëndrueshmërinë e mundshme pas pushtimit rus të Ukrainës.

Bosnje-Hercegovina po përballet me një lëvizje separatiste serbe të Bosnjës gjithnjë e më shumë, e cila kuptohet se ka marrë mbështetje nga Moska, raporton agjencia e lajmeve. Ashtu si Ukraina, Bosnje-Hercegovina pjej kohësh ka shprehur kërkesën për tu bashkuar me NATO-n, shkruan The Guardian.

14:44- Putini kërcënon: Shteti që shpall zonën e “ndalim-fluturimit” do të konsiderohet palë në luftë

Vladimir Putin ka kërcënuar edhe një herë shtetet perëndimore me luftë. Një reagim të fundit publik ai është shprehur se do ta konsiderojnë si palë luftuese çdo shtet që do të marrë përsipër që të aplikojë një “zonë ndalim-flturimi” në qiellin e Ukrainës.

Putin tha se në këtë mënyrë, ai shtet që do të bënte këtë, kishte zgjedhur të futej në luftë me Rusinë. Ndër të tjera, presidenti Vladimir Putin tha se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë ishin të ngjashme me shpalljen e luftës. Ai tha se Moska duhet të mbrojë rusishtfolësit në lindje të Ukrainës, si dhe interesat e saj.

14:18- Italia sekuestron jahtet dhe vilat e 4 oligarkëve rusë me vlerë 140 milionë euro

Policia italiane ka sekuestruar vila dhe jahte me vlerë të paktën 140 milionë euro nga katër miliarderë rusë, të cilët ishin në listën e sanksioneve të BE-së pas pushtimit rus të Ukrainës, shkruan Reuters.

Një burim policor tha se është sekuestruar vila në pronësi të biznesmenit miliarder Alisher Usmanov në Sardenjë dhe vila në liqenin Como në pronësi të prezantuesit të televizionit shtetëror rus Vladimir Soloviev.

Përveç kësaj, burimet konfirmuan se jahtet që i përkisnin njeriut më të pasur të Rusisë, Alexei Mordashov, dhe Gennady Timchenko, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin , u konfiskuan gjatë natës në portet veriore të Italisë. Në 20 vitet e fundit oligarkët rusë kanë blerë banesa luksoze në vende të kërkuara të Itali.

14:12- Forcat ruse pushtojnë qytetin Kherson, qindra ukrainas ngrihen në protestë

Qindra persona janë mbledhur në qendër të Khersonit duke protestuar kundër pushtimit rus, disa ditë pasi forcat ushtarake morën në kontroll qytetin, The Independent

Pamjet e postuara në mediat sociale tregojnë qindra persona duke valëvitur flamurin ukrainas. Protestat erdhën pas shkeljes së armëpushimit nga forcat ruse për evakuimin e civilëve në dy qytete të vendit Mariupol dhe Volnovakha.

Në njërën nga videot, protestuesit janë përplasur me forcat ruse, madje një nga ushtrarakët rusë ka qëlluar në ajër për të shpërndarë turmën. Ukraina tha se ka pezulluar evakuimin e civilëve, duke akuzuar trupat ruse për shkeljen e armëpushimit. Sipas zyrtarëve, rusët kanë vazhduar bombardimet pavarësisht armëpushimit të përkohshëm.

13:44- Rusia i përgjigjet akuzave për mos respektim të armëpushimit: Evakuimin e penguan nacionalistët ukrainas jo ne

Mëngjesin e sotëm, nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, tha se ushtarët rusë vazhduan të bombardonin zonën pavarësisht armëpushimit të përkohshëm që dy vendet vendosën. Sipas zyrtarëve pala ruse nuk ka respektuar armëpushimin e përkohshëm, ndërkohë, banorëve u është kërkuar të strehohen në vende të sigurta deri në pritjen e një vendimi të dytë.

Në lidhje me këto deklarata ministria e Mbrojtjes ruse është përgjigjur duke thënë se nuk janë ushtarët rusë ata që po pengojnë evakuimin e sigurt të ukrainasve nga Mariupol, duke bërë deklaratën e fortë se nacionalistë ukrainas janë ta që kanë penguar civilët te largohen në rrugë të sigurta nga qyteti, sipas agjencisë ruse të lajmeve Ria, shkruan BBC.

13:11 – Britanikët të prerë: Ky veprim na çon të luftë direkte me Rusinë

Sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë mund të pengojë aftësitë e Ukrainës për të mbrojtur vendin.

Gjatë një vizite në Danimarkë, Ben Wallace tha për BBC se një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë nuk do të rriste vetëm rrezikun për aleatët e NATO-s – të cilët mund të vijnë në konfrontim të drejtpërdrejtë me avionët rusë – por gjithashtu mund të pengojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten.

Sekretari britanik tha se avionët dhe dronët ukrainas janë “një nga mjetet e pakta” që ukrainasit kishin për të goditur forcat ruse nga distanca: “Nëse keni një zonë të ndaluar fluturimi, ajo funksionon për të dyja palët”.

12:47 –Sulmet nga Rusia, Blinken mbërrin në kufi të Ukrainës për të diskutuar për sigurinë e refugjatëve

Blinken ka mbërritur në Rzeszow, një qytet juglindor afër kufirit me Ukrainën, i cili është bërë streha për mijëra ukrainas që janë larguar për t’i shpëtuar agresionit rus, shkruan The Guardian

Antony Blinken do të takohet me zyrtarë polakë, përfshirë ministrin e jashtëm të NATO-s dhe Bashkimit Europian, Zbigniew Rau. Më shumë se 1 milion persona janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, kryesisht në Poloni, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake e ofruar nga anëtarët e NATO-s për forcat qeveritare të Ukrainës po kalon përmes Polonisë.

12:40-Gjigantët botërorë ndalojnë aktivitetin e tyre në Rusi, marka e famshme mbyll 502 dyqane

Ndërsa konflikti Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e dhjetë të luftimeve dy gjigantët botërorë kanë ndaluar aktivitetin e tyre në Rusi, si pjesë e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi kundër Kremlinit, që prej hyrjes së ushtrisë ruse në Ukrainë, 24 shkurt.

Zinxhiri ndërkombëtar i veshjeve do të mbyllë të gjitha dyqanet e tetë markave të tij: Zara, Pull & Bear, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius, Oysho, Zara Home dhe Uterqüe.

Nga nesër Zara do mbyllë të gjitha dyqanet me aktivitet në Rusi, tha pronari kompanisë “ Inditex”, shkruan BBC.

12:35-Lavrov: Jemi gati për raundin e tretë të bisedimeve
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, gjatë një konferencë për shtyp, tha se Rusia ishte gati për raundin e tretë të bisedimeve, shkruan skynews

Lavrov theksoi se Kievi në fakt po “nxirrte justifikime” për të shtyrë takimin.

Për momentin, ne nuk kemi caktuar asnjë datë në lidhje me raundin e tretë të  bisedimeve. Ne kemi qenë të përgatitur që nga mbrëmja e djeshme për të zhvilluar një raund të tretë bisedimesh.

12:22- VIDEO/ WOW! Si në filma, momenti kur raketa kthen në një top zjarri helikopterin rus

Ushtria e Ukrainës ka publikuar momentin e rrëzimit të një tjetër helikopteri të rusëve gjatë luftimeve të ditës së sotme.

Mësohet se bëhet fjalë për një helikopter sulmi Mi-24, i cili u godit nga një raketë tokë-ajër edhe pse po fluturonte vetëm pak metra nga toka. Piloti fluturoi kaq ulët me shpresën se nuk do të kapej nga raketat ukrainase, por kjo video tregon të kundërtën.

12:08- Rusët nuk respektojnë armëpushimin, pezullohet evakuimi i civilëve në Mariupol

Evakuimi i civilëve nga Mariupol është pezulluar.  Sipas zytarëve pala ruse nuk ka respektuar armëpushimin e përkohshëm, ndërkohë, banorëve u është kërkuar të strehohen në vende të sigurta deri në pritjen e një vendimi të dytë.

Nënkryetari i bashkisë së qytetit tha për BBC-në se Mariupol ende po bombardohej dhe ka gjithashtu raporte se luftimet po vazhdojnë përgjatë gjithë rrugës së evakuimit.

11:41 – VIDEO/ Zbulohet biseda, çfarë i tha Rama-Zelensky-t në telefon

Pas deklaratës nga Presidenti i Ukrainës Zelensky mbi telefonatën me kryeministrin Rama, ky i fundit ka zbuluar edhe një pjesë të përmbajtjes së saj. Më herët, Zelensky tha se kishte zhvillur një telefonatë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ai shkruan në Twitter se folën me Ramën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ai u shpreh se e vlerëson ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë duke shtuar se po bëhet gjithçka për t’i dhënë fund luftës.

11:19- Evakuimi i civilëve, Ukraina: Nuk po respektohet armëpushimi

Një armëpushim i rënë dakord midis Rusisë dhe Ukrainës për të lejuar civilët të largohen nga qyteti i Mariupolit nuk po respektohet plotësisht, sipas zyrtarëve të qytetit, shkruan BBC

Në një mesazh të postuar në Telegram, zyrtarë thanë se luftimet po zhvillohen në rajonin e Zaporizhzhia, ku përfundon korridori humanitar. Ndërkohë pala ukrainase po negocion me palën ruse për të konfirmuar armëpushimin e përkohshëm përgjatë gjithë rrugës së evakuimit.

“Rusët po vazhdojnë të na bombardojnë dhe po përdorin artileri. Është një çmenduri,” tha nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov.

11:18-Rusët te dera, shteti europian merr masa urgjente: Gati pilotët e “bishave” amerikane

Finlanda dhe Suedia kanë filluar të marrin masa për rritjen e sigurisë së tyre pas kërcënimit të hapur të Rusisë ndaj tyre dhe gjithë Europës.

Finland aka dërguar për trajnim në SHBA pilotët e saj që drejtojnë avionët e avancuar F-35, raporton abcnews.al.

Kjo është njoftuar nga senatori Tom Cotton ka njoftuar pas takimit që ka pasur me presidentin e Finlandës Sauli Niisto.

11:13 –Zelensky i sigurt: Lufta drejt fundit, së shpejti do të jemi në gjendje t’u themi njerëzve tanë të kthehen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar sërish këtë të shtunë në lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendii tij pas 10 ditësh sulm nga Rusia.

Zelensky është shprehur i bindur se lufta do të përfundojë shpejt. Ai ka postuar një video mesazh në Facebook ku thekson se shumë shpejt do të jenë në gjendje t’ju thonë qytetarëve ukrainas që janë larguar nga vendi shkaku i luftës se mund të kthehen në Ukrainë.


Jam i sigurt që shpejt do të jemi në gjendje t’ju themi njerëzve tonë: kthehuni! Kthehuni nga Polonia, Rumania, Sllovakia dhe gjithë vendet tjera. Kthehuni sepse s’ka më rrezik”, ka thënë Zelensky.

10:45 – BE pezullon Rusinë dhe Bjellorusinë nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik

Bashkimi Europian u është bashkuar anëtarëve të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik (CBSS) në pezullimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga aktivitetet e Këshillit, shkruan Reuters

“Ky vendim është një pjesë e përgjigjes së Bashkimit Europian dhe partnerëve të saj, të cilët ndajnë të njejtin mendim ndaj pushtimit të Ukrainës dhe përfshirjes së Bjellorusisë në këtë agresion të paprovokuar dhe të pajustifikuar”, thuhet në deklaratë.

10:09 – Koha për tu larguar nga rreziku, filloi evakuimi i Mariupolit pas armëpushimit të përkohshëm nga Rusia

Pas njoftimit të armëpushimit të përkohshëm nga Rusia, bëhet me dije se ka nisur evakuimi i civilëve nga Mariupol. Mediat e huaja bëjnë me dije se sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit, janë organizuar autobusët e parë për të lëvizur njerëzit në siguri nga tre lokacione në qytet duke filluar nga ora 11:00 me orën lokale.

Në kuadër të këtij vendimi, banorëve të qytetit u është thënë se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurtë përgjatë një rruge specifike në veri-perëndim për në qytetin e Zaporizhzhia gjatë armëpushimit, i cili zgjat nga ora 09:00-16:00 me kohën lokale.

09:34-Kryebashkiaku i Mariupol: “Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të largohemi”

Pas konfirmimit se Rusia ka pranuar krijimin e korridoreve humanitare, kryebashkiaku i Mariupol ka deklaruar se nuk i ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër veçse të mundësojë evakuimin e civilëve, shkruan BBC

Rusia ka rënë dakord të respektojë një armëpushim nga ora 9 e mëngjesit deri në 4 pasdite në Mariupol, i cili është përballur me “sulme të pamëshirshme” prej ditësh të tëra.

“Të dashur banorë të Mariupolit, nga sot fillon evakuimi i popullsisë civile në qytet. “Ky nuk është një vendim i lehtë, por, siç e kam thënë gjithmonë, Mariupoli nuk është vetëm rrugë dhe shtëpi. Mariupol, jeni ju dhe unë.

09:23- 66,000 burra kthehen në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë

66,224 burra janë rikthyer në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë, sipas një njoftimi të ministrit të mbrojtjes, shkruan Sky News

Këta burra janë kthyer nga jashtë për të mbrojtur vendin e tyre nga agresioni rus.

“Ukrainas, ne jemi të pamposhtur.”Mbi 1,000 njerëz kanë mbërritur gjithashtu në Ukrainë për të luftuar që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt, pas një thirrje të Volodymyr Zelenskyy.

08:39- Rusia do të dërgojë rreth 1000 mercenarë në Ukrainë, mund të bombardohen disa qytete

Rusia do të dërgojë 1000 mercenarë të tjerë në Ukrainë gjatë javëve të ardhshme, pas paralajmërimeve të një zyrtari të inteligjencës perëndimore se Moska mund të bombardojë disa qytete, një përshkallëzim që mund të çojë në viktima të shumta civile, shkruan CNN

Zyrtari shtoi se SHBA-ja beson se mercenarët tashmë në Ukrainë janë përballur me rezistencë nga ukrainasit dhe se deri në 200 mercenarë të tillë janë vrarë që nga fundi i shkurtit. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë presin që Rusia të rrisë ritmin dhe forcën e goditjeve të saj në qendrat kryesore të popullsisë ukrainase, duke përfshirë kryeqytetin Kiev.

08:36- U zihet pritë nga forcat ruse, rrëfimi prekës i ekipit të Sky News mes rrezikut

Prej 10 ditësh Ukraina ndodhet nën tensionin e sulmeve nga Rusia. Së fundmi është publikuar një video që tregon momentin kur ekipit të Sky News iu zu në pritë nga një skuadër zbulimi diversante ruse në fillim të kësaj jave ku për pak sa nuk arriti të dilte i gjallë.

Ngjarja ka ndodhur  vetëm 30 km nga qendra e Kievit, një vend i qetë në fshat u bë shpejt një fushë beteje pasi makina me të cilën po udhëtonte grupi me pesë persona u bë objektiv i plumbave rusë.

08:18- Raportohen shpërthime në disa qytete në Ukrainë

Edhe pse në dy qytete është shpallur “armëpushimi i përkohshëm”, lufta vazhdon në të gjithë vendin. Mediat ukrainase kanë raportuar shpërthime dhe sulme ajrore në disa qytete të ndryshme, ndërsa sulmi rus hyn në ditën e tij të dhjetë, shkruan BBC.

Granatimet në qytetin lindor të Sumy, aktualisht i rrethuar nga trupat ruse, u dëgjuan në orën 05:00. Sipas Kyiv Independent janë dëgjuar  disa shpërthime në Kharkiv. Një banor i strehuar në një stacion treni postoi në Twitter raketat që goditën disa ndërtesa.

Në Kiev, si dhe në qytetet Sumy, Zhytomyr dhe Chernihiv janë dëgjuar sirenat e alarmit, duke u kërkuar njerëzve të strehohen në vendet më të sigurta.

07:59- Rusia konfirmon hapjen e korridoreve humanitare për dy qytete të Ukrainës

Ministria ruse e Mbrojtjes  këtë të shtunë ka bërë me dije se  korridoret humanitare do të hapen në orën 10:00 me orën e Moskës nga qytetet Mariupol dhe Volnovakha.

Mediat e huaja bëjnë me dije se sipas njoftimit të fundit nga zyrtarët rus një “moment qetësie” do të zbatohet që popullata civile të largohet nga qytetet. Ministria ruse bën me dije se në lidhje me këtë vendim është rënë dakord me autoritetet ukrainase.

Gjithashtu edhe Ukraina ka konfirmuar armëpushimin, sipas kreu të rajonit Donetsk, Pavlo Kirilenko. Ai gjithashtu tha se administrata e tij aktualisht po punon për detajet e evakuimit.

Ndërkohë më herët, kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko bëri thirrje për një korridor humanitar, për të kaluar shoqëria civile, pas një bllokade të vazhdueshme dhe atyre që ai i ka quajtur “sulme të pamëshirshme” nga trupat ruse./abcnews.al

07:33- Frikë nga sulmet ruse, më shumë se 1.2 milionë ukrainas janë larguar nga vendi

Që nga fillimi sulmit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt, më shumë se 1.2 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi.

Komisioneri i Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka bërë me dije për mediat se nga 1,209,976 refugjatë që kanë ikur, më shumë se gjysma kaluan në Poloni, ndërsa të tjerët janë drejtuar drejt vendeve të tjera fqinje, duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Rumaninë.

Ndër të tjera theksohet se lëvizjet më të mëdha janë bërë brenda javës së parë të luftës, por lëvizje ka pasur edhe brenda vendit ku shumë familje janë zhvendosur nga zonat e rrezikut në pjesë të tjera të Ukrainës.

07:25 – U tha se u largua nga Ukraina, reagon Zelensky: Jam në Kiev

Në disa artikuj të publikuar në media thuhej se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky  ishte larguar nga vendi.

Zelensky  përmes një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, thekson se ai ndodhet në kryeqytetin Kiev dhe për asnjë moment nuk e ka menduar largimin.

“Çdo dy ditë dalin informacione se unë kam ikur diku, kam ikur nga Ukraina, nga Kievi, nga zyra ime. Siç mund ta shihni, unë jam këtu në vendin tim, Andriy Borisovich (Yermak) është këtu. Askush nuk ka ikur askund. Ne jemi në Kievduke punuar”, ka thënë  Zelensky.

06:07- Kryebashkiaku i Mariupolit bën thirrje për korridor humanitar mes “bllokimit”

Kryetari i bashkisë së Mariupolit Vadym Boichenko ka bërë thirrje për një korridor humanitar mes një bllokade të vazhdueshme dhe atyre që ai i ka quajtur “sulme të pamëshirshme” nga trupat ruse. Qyteti port ka qenë i rrethuar që nga e enjtja dhe Boichenko tashmë ka paralajmëruar për një katastrofë humanitare atje.

Qyteti është shtëpia e rreth 450,000 njerëzve dhe furnizimi me energji dhe ujë është ndërprerë për shkak të bombardimeve të rënda. Një nga portet më të mëdha të Ukrainës, Mariupol është strategjikisht i rëndësishëm, sepse kontrolli i tij do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut të mbështetur nga Rusia raporton “BBC”.