Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar se do të kandidojë në zgjedhje për një mandat të dytë me anë të një letre drejtuar francezëve.
Në letrën prej 1000 fjalësh të botuar në faqet e internetit të shtypit ditor rajonal, Macron shkruan se ” po përjetojmë trazira me shpejtësi të paparë: kërcënime për demokracitë tona, pabarazi në rritje, ndryshime klimatike, tranzicioni demografik, transformime teknologjike. Le të mos gabojmë: Ne nuk do t’u përgjigjemi këtyre sfidave duke zgjedhur të tërhiqemi apo duke kultivuar nostalgji, do t’ia dalim duke e parë të tashmen me përulësi dhe kthjelltësi, duke mos hequr dorë nga guximi, vullneti dhe shija jonë për të ardhmen. Sfida është të ndërtojmë Francën e fëmijëve tanë, jo të ripërsëritim Francën e fëmijërisë sonë.
“Kjo është arsyeja pse unë kërkoj besimin tuaj për një mandat të ri si President i Republikës. Unë do të kandidoj për të shpikur, me ju, një përgjigje unike franceze dhe evropiane ndaj sfidave të shekullit. Unë do të kandidoj për të mbrojtur vlerat tona të cilat kërcënohen nga trazirat e botës. Do të kandidoj që të vazhdoj të përgatis të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tanë. Për të na mundësuar sot dhe nesër të vendosim vetë”, shtoi ai.
Kreu i shtetit në Francë, aktualisht i mobilizuar nga lufta në Ukrainë, priti deri në momentin e fundit për të zyrtarizuar kandidaturën e tij për mandatin e dytë, të cilin kandidatët duhet ta zyrtarizojnë para mbrëmjes të së premtes.
Macron është kandidati i fundit që u deklarua në Francë dhe vendimi i tij për të pritur u kritikua ashpër nga rivalët e tij, të cilët e akuzuan për fushatë të fshehtë përmes rolit të tij dhe si rrjedhim nuk respekton rregullat e fushatës. /abcnews.al/