Google ka hequr median shtetërore ruse RT nga motori i kërkimit.
“Në këtë krizë të jashtëzakonshme ne po marrim masa të jashtëzakonshme për të ndaluar përhapjen e dezinformatave dhe për të ndërprerë fushatat e dezinformimit në internet”, tha Kent Walker, presidenti i Google për çështjet globale.
Deri më tani, kompania kishte kufizuar faqet e lajmeve të financuara nga qeveria ruse nga reklamimi dhe përdorimi i disa veçorive në YouTube, platforma e ndarjes së videove në pronësi të Google.
Zv/kryeredaktorja e RT-së, Anna Belkina, tha se masa e marrë tregon se kompanitë perëndimore të establishmentit janë “të tmerruara nga prania e thjeshtë e ndonjë zëri të jashtëm nga frika e humbjes së audiencës së tyre historikisht të robëruar, nëse ajo audiencë ndeshet me një këndvështrim tjetër”.
RT dhe Sputnik, një faqe tjetër e financuar nga qeveria ruse, konsiderohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit si dy “elementë kritikë në ekosistemin e dezinformimit dhe propagandës së Rusisë”.
Më herët, edhe gjigandi i teknologjisë Apple ka njoftuar se RT dhe Sputnik nuk do të jenë më të disponueshme për shkarkim në App Store jashtë Rusisë. /abcnews.al/