Arta Dade komenton situatën politike në vend

schedule20:23 - 8 Mars, 2019

schedule 20:23 - 8 Mars, 2019

E ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” në ABC News, ish-ministrja e Jashtme Arta Dade ka komentuar edhe situatën e fundit politike. Ajo tha se opozita është duke përdorur përgjimet. Aktin e tyre për djegien e mandateve e konsideroi in ekstremis. Gjithashtu theksoi se duhet të jetë Partia Socialiste që t’i japë zgjidhje situatës.

“Ata janë kapur me mjeshtëri pas disa përgjimeve, dhe besoj që çdo opozitë do ta përdorte. Djegia e mandateve nuk ka ndodhur dhe për mua është akt in ekstremis dhe besoj që nuk ka kthim mbrapa tani. Besoj që në politikë mazhorancat janë më të interesuara që të ketë stabilitet në vend. Pikë së pari i takon PS që ta zgjidhë këtë situatë. Kam dhënë mendimin tim, por që u takon socialistëve të vendosin. Nuk shikoj rrugë të tjetër që të kemi qeveri të besueshme dhe hap taktik të kryeministrit për të krijuar një qeveri tjetër të PS me njerëz që janë më pak të atakueshëm. Kjo qeveri në vend që t’i shërbente qetësimit të situatës dhe transmetimit të një shprese, apo optimizëm për të vënë gjërat në rrugën e zgjidhjes, por për fat të keq kjo nuk ndodhi”, u shpreh Dade.

Megjithatë, Dade theksoi se Partia Socialiste duhet ta çojë deri në fund mandatin pasi zgjedhjet janë certifikuar.

“Unë nuk flas për qeveri tranzicioni. Unë them që PS duhet ta përfundojë mandatin sepse zgjedhjet janë certifikuar. Nuk besoj që duhet për zgjedhje të parakohshme. Kryeministri duhet ta mendojë që ndonjëherë edhe kur nuk je i bindur për një hap të caktuar në politikë duhet ta bësh për të mirën e qeverisjes dhe për të mirën e funksionimit të demokracisë”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!