Vazhdon mallkimi i Championsit për Paris SG

schedule17:20 - 7 Mars, 2019

schedule 17:20 - 7 Mars, 2019

Vazhdon mallkimi i Ligës së Kampionëve për PSG. Edhe pse sheikët kanë shpenzuar 1.2 miliardë euro që nga viti 2011, skuadra nuk po mundet të fitojë.

Nuk ishin kaq të pasur sa sot, por shumë më të lumtur!

Paris SG e ka pasur një moment të lavdishëm në Evropë, kur në mesin e viteve 90-të fitoi Kupën e Kupave, dhe arriti gjysmëfinalen e Championsit, falë yjeve si Zhorzh Ueah, David Zhinola apo Juri Zhorkaef.

Pronarët e asaj kohe nuk kishin miliardat e sheikëve të sotëm, por arritën të krijonin një skuadër fituese.

Mallkimi i klubit parisien në kontinent u shfaq më i madh se kurrë, pas eliminimit tronditës nga një Mançester Junajtid, që hyri në fushë me 10 mungesa.

Është e kotë të gjenden justifikime për atë që ndodhi.

Fitorja e anglezëve ishte e një magnitude të ngjashme me atë të përmbysjes së Barcelonës dy vjet më parë, me fitoren 6-1, pas humbjes 0-4 pësuar në Paris.

“Sërish dështim, shkruan “L’Ekip”, dy vjet pas remuntadës së Barcelonës, ndodhi sërish e pamendueshmja. Pavarësisht nga fitorja komode në Angli, ata u mposhtën këtë herë në “Park dë Prensis!”

“Liga e Kampionëve, fund I tmerrshëm për PSG-në”, titullon gazeta e kryeqytetit të Francës, “Lë Parizien”.

“La Gazeta delo Sport” në Itali qan për heroin e saj: Bufoni i eliminuar, Junajtid ia doli në Paris!

Tifozët, siç pritej, ishin të dëshpëruar.

Ata akuzuan lojtarët se luajtën një ndeshje pa shpirt dhe pa moral, duke kërkuar ndryshime.

Përse vallë, edhe me 1.2 miliardë euro investime, sheikët nuk po arrijnë as atë që bënë paraardhësit e tyre në vitet 90-të?

Yjet e mëdhenj kanë pasuar njëri-tjetrin, Ibrahimoviç, Kavani, Nejmar, Mbape, Verrati, Tiago Silva, Di Maria, Bufon, por nuk kanë shkuar kurrë më larg se çerekfinalet.

Duket se diçka e rëndësishme I mungon projektit parisien.

PSG nuk ka traditën e Ajaksit në Champions, edhe pse ka shumë më tepër pasuri.

I ka paratë e Realit, por jo emrin e tij.

Al Helaifi duket se ka pasur të gabuar prioritetin, vënien e theksit tek yjet, ndryshe nga Çelsi i Roman Abramoviçit, që e nisi nga drejtuesit dhe trajneri, duke zgjedhur “të veçantin”, Zhoze Murinjo.

“Jam shumë i zhgënjyer me rezultatin, – tha Al Helaifi, pas humbjes, – nuk e kuptoj sesi e humbëm këtë ndeshje. Ne fituam 2-0 atje, por këtu në Paris humbëm 1-3. Ne e ndihmuam kundërshtarin me gjithçka që ai të fitonte, ia bëmë shumë të lehtë. Me të vërtetë, nuk arrij ta kuptoj”.

Nuk dihet sesa durim do të vazhdojë të ketë presidenti miliarder nga Katari. Ai premton se do të veprojë me kokë të ftohtë, por që nga viti 2011 ftohtësia nuk ka qenë aq e madhe sa ta ndihmojë për të zbuluar sekretin e suksesit./abcnews.al