Fshatrat e Dropullit “pa fëmijë”, 55 shkolla të mbyllura

schedule16:07 - 27 Shkurt, 2022

schedule 16:07 - 27 Shkurt, 2022

Nga Elidon Berberi

Fshatrat e Dropullit janë braktisur nga banorët. Në shumë prej tyre nuk ka fëmijë ose numërohen me gishtat e dorës. Për pasojë 55 shkolla janë mbyllur. Në fshatin Goranxi pjesë e Bashkisë Dropull  ajo që bie në sy është shkatërrimi total i godinave arsimore.

Me të njëjtën panoramë përballemi dhe në fshatin Sofratik.

Kjo është godina e shkollës 9-vjecare në fshatit Sofratik edhe këtu konstatuam rrënim total të godinës që dikur shërbente për arsimimin e fëmijëve të kësaj zone. Këto libra dhe kjo hartë janë të vetmet dëshmi që dikur në këto ambiente zhvillohej mësim.

“Kanë ikur nxënësit s’ka fëmijë fshati fare. Dy fëmijë që janë shkojnë në Gjirokastër.”

Për godinat që po dëmtohen dita ditës, nënkryetarit të Bashkisë Dropull, Panajot Dhefto thotë se do t’i kërkohet këshillit bashkiak që ato të vihen në shërbim të komunitetit.

“Në territorin e Bashkisë Dropull janë 55 shkolla 9-vjecare dhe të mesme. Me kalimin e kohës po degradojnë. Pikësynimi është që të kthehen në qendra muzeale që të pasqyrohet tradita se nuk ka më nxënës. Anëtarët e komunitetit që kanë dëshirë të investojnë në këto shkolla janë të mirëpritur që këto ndërtesa të kthehen në shërbime për publikun.”

Në 21 fshatrat e Dropullit kanë mbetur shumë pak banorë. Pjesa më e madhe janë të moshuar. Të rinjtë janë larguar në zonat urbane ose kanë emigruar jashtë vendit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!