Pasuri me vlerë 2,2 milionë euro të dy vëllezërve janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ata po hetohen për pastrim parash sipas ligjit antimafia, pasi dyshohet se këto pasuri burojnë nga aktivitete të paligjshme.
Ky është Armando Gorezi, të cilit iu sekuestrua me vendim të Gjykatës së Tiranës, apartamente, garazhe, restorante para kesh.
Të ardhurat dyshohet se kanë rrjedhur nga aktivitetet kriminale jashtë vendit të Armandos dhe vëllait të tij Alket Gorezi, përkatësisht 44 dhe 47 vjeç. Burime nga policia e kryeqytetit pohojnë se paratë dyshohen se kanë si origjinë trafikun e narkotikëve dhe të shfrytëzimit të prostitucionit në Itali.
Armando Gorezi u arrestua në vitin 2015, në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për vrasjen e Indrit Kuçit në vitin 2011 në Torino. Prej asaj kohë ai ndodhet në burg në Itali. Pronat e tyre në Shqipëri tashme administrohen nga vëllai tjetër Alket Gorezi.
Pronat për të cilat u vendos sekuestro preventive janë 9 apartamente, dy dyqane dhe një garazh, në Tiranë dhe Durrës. Sipas uniformave blu, vlera e pasurive të sekuestruara arrin 2.2 milionë euro.
Sipas të dhënave të QKB, Armadno Gorezi rezulton pronar i një bar-restoranti në zonën e Yzberishtit në kryeqytet. Hetimet ndaj vëllezërve Gorezi, me origjinë nga qytetit i Beratit kishin nisur në vitin 2018 nga Prokuroria e Tiranës./abcnews.al