Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se ka qenë Haradinaj ai i cili e ka prishur koalicionin VLAN.
Sipas versionit të Haradinajt, koalicioni VLAN është prishur për shkak se Kurti ka kërkuar që nga protesta të hyhej brenda objketit të Qeverisë, të merrej qeveria e të rrëzohej pushteti.
Madje Haradinaj tha se Kurti asokohe i ka thënë se “pa gjak nuk rrëzohet regjimi”.
“Pse jemi nda me VV-në. Jemi nda sepse kemi ardhur një ditë në protesta kur është propozuar me hy në Qeveri dhe me marr qeverinë, objektin e qeverisë, z.Kurti. Ka dëshmitarë të gjallë. E kam pyetur se çfarë do të bëjnë policia e jonë, e Kosovës. Ata gjuajnë, këta gjuajnë. Pa gjak tha nuk rrëzohet regjimi. Për mos me derdh gjak për me e rrëzu një regjim në Kosovë. Për mos me derdh gjak për një regjim jemi nda. Kaq e thjeshtë është”, tha ai.
Kjo deklaratë e Haradinajt u kundërshtua nga Kurti, që ripërsëriti se arsye ka qenë se kryetari i AAK-së ka thënë “mu kanë lodhur mashqit”. /Express