Betohen në Kuvend 4 deputetët e rinj nga listat e LSI

schedule11:10 - 5 Mars, 2019

schedule 11:10 - 5 Mars, 2019

Kuvendi i Shqipërisë do të ketë katër deputetë të rinj. Ata kanë dalë nga lista shumëemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe u betuan në parlament në seancën e së martës ndërkohë që jashtë dyerve të tij opozita po vijonte protestën.

Ylli Shehu zëvendëson deputeten e Tiranës Florida Kërpaçi. Edmond Rrushi ulet në vendin e ish-deputetit të Tiranës Endrit Brahimllari. Aurora Mara zëvendëson në Kuvend deputetin e Dibrës Përparim Spahiu.

Enver Rroshi përfaqëson në Kuvend Qarkun e Elbasanit në vend të deputetit Edmon Haxhinasto.

Para se të zinte vendin në ulësen e opozitës deputeti Ylli Shehu tha se bëhej pjesë e parlamentit pasi nuk mund t’i zhgënjente votuesit.

Ndërkohë katër kandidatë të tjerë kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke kërkuar të marrin mandatin e deputetit.  Bëhet fjalë për dy kandidatët te Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erdiola Braha nga Qarku i Gjirokastrës  dhe Elda Hoti nga ai i Lezhës.  Ndërsa nga Partia Demokratike formularin e dekriminalizimit e ka dorëzuar Majlinda Halilaj nga Qarku i Tiranës dhe Ligoraq Karamelo nga ai i Korçës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!