“Është vijimi i një rruge pa krye, ku e vetmja gjë e re është një vendim politikisht vetëvrasës i udhëheqjes politike të opozitës si rezultat i humbjes së shikimit mbi vetveten e Shqipërinë”. Këtë deklaroi nga foltorja e parlamentit, kryeministri Edi Rama si reagim ndaj vendimit të opozitës për djegien e mandateve dhe protestës së sotme para parlamentit.
“Ato pamje të shëmtuara dhe realisht shqetësuese, nuk është protestë popullore, por është një reagim brenda pallatit të politikës nga ajo pjesë politike e popullit shqiptar”.
Sipas kreut të qeverisë ky është një serial i njohur i opozitës sa herë që ka zgjedhje dhe këtu sjell në vëmendje çadrën e opzoitës dhe marrëveshjen e 17 majit.
“Jemi në kushtet e një seriali të njohur. Nuk besoj se për ju që jeni këtu është e vështirë ti bëni thirrje kujtesës për situatën e dy viteve më parë,në këtë periudhë ku ishin në çadër, ku nisën një rrugëtim për të ndërtuar një republikë të re me kushtin e panegociueshëm, për një qeveri pa Edi Ramën kryeministër, qeveri tranzitore, sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament. E mbani mend të gjithë se ne vumë interesin e vendit, mbi interesin politik dhe bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve në Shqipëri, duke i vënë në dispozicion opozitës gjithçka kërkoi. Morën Ministrinë e Brendshme, të gjitha ministritë që kërkuan me idenë që këto ministri ishin ministri elektorale dhe PS mund ti përdortë për qëllime elektorale. Morën për herë të parë, kryetarin e KQZ, e dini shumë mirë sesa luftëra janë bërë dhe kishin shumicën në Komisionet Zgjedhore”.
Për Ramën opozita ka qenë një grup njerëzish pa asnjë program dhe pa asnjë sens përgjegjësie. Sipas tij opozita kërkon ta marrë pushtetin në tavolinë dhe duke mos qenë e aftë të fitojë zgjedhjet.
“Këta kërkojnë të marrin pushtet në tavolinë, kërkojnë përmbysjen e rregullave të lojës duke krijuar një precedent të papranueshëm që një opozitë që e shikon se nuk fiton zgjedhjet dhe ikën, anulim lojë dhe mbi të gjitha ne e provuam ja u dhamë të gjitha ato që kërkuan.
Kryeministri theksoi se demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatet e marra nga shumica e qytetarëve nuk i negocion me askënd, por thekson se mbetet gjithmonë i hapur për dialog.
“Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatet e marra nga shumica e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd. Ne nga ana jonë duhet të bëjmë çdo ditë refletimin tonë lidhur me çfarë nuk shkon si duhet dhe çfarë do bëjmë, do vazhdojmë drejt se në axhendëm tonë çdo ditë ka punë për të bërë. Dora jonë është e shtrirë, gatishmëria jonë për të folur është gjithmonë”.
/abcnews.al


