Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e cilëson arrestimin e 3 deputetëve si sulm kundër partisë së tij. Ndërsa kryeministri Haradinaj tha se deputetet duhet të paraqiten në Gjykatë sa herë tu kërkohet. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti bëri thirrje që të mos përsëriten skena të tilla.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar për arrestimin e dhunshëm të deputetëve, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika-Kadaj-Bujupi. Me anë të një mesazhi në Facebook, ai thotë se veprimet e fundit të drejtësisë kosovare janë sulme kundër partisë së tij.
“Persekutimi është i drejtuar kundër VETËVENDOSJE!-s. Sepse vetëm VETËVENDOSJE!-n e kanë pengesë në ndërmarrjen e tyre kriminale. Sepse janë kundër vullnetit popullor. Dhe pengesë do të na kenë. Përjetësisht. Kundër krimit”, nënvizon Ymeri duke kërkuar liri për deputetët dhe aktivistët e arrestuar.
Lidhur me këto ngjarje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai u shpreh se i vjen keq për arrestimet, por nga ana tjetër Haradinaj shtoi se deputetët duhet të paraqiten në Gjykatë sa herë t’iu kërkohet një gjë e tillë.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, nënvizoi se nuk duhet të përsëriten më pamje të tilla.
Për të 3 deputetët e Vetëvendosjes është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë./abcnews.al