Basha në Parlamentin italian: PD, angazhim maksimal për t’ju siguruar shqiptarëve standardet evropiane

schedule09:56 - 22 Shkurt, 2022

schedule 09:56 - 22 Shkurt, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Itali në një vizitë zyrtare. Në Parlamentin italian, Basha është takuar me kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Piero Fassino.

Kreu i demokratëve thekson se Italia ka qenë gjithnjë mbështetja e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Basha thotë se e ka njohur Fassino me prioritetet e PD, siç është angazhimi për t’ju siguruar shqiptarëve standardet evropiane.

Ndërkaq, bën të ditur se kanë biseduar edhe për situatën në rajon, veçanërisht në Bosnje dhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në Parlamentin italian u takova me kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në parlamentin italian, Piero Fassino. Italia ka qenë dhe vazhdon të mbetet mbështetësja kryesore e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Diskutuam për procesin e integrimit europian, proces i cili ka mbështetjen e plotë të PD. Pa integrimin në BE, nuk do mund të sigurojmë standardet europiane të jetesës. E njoha zotin Fassino me prioritet e PD, që nga lufta kundër korrupsionin që po gërryen ekonominë dhe mirëqenien tonë, si dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të cilën është ngritur me kërkesën e PD komisioni për reformën Zgjedhore. Po ashtu për një shërbim sa më të  mirë për qytetarët, ne kemi mundësuar ngritjen e një komisioni për reformën territoriale dhe një ndarje të re administrative.

Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon. Situata në Bosnjë Hercegovinë kërkon një reagim të shpejtë, të vendosur dhe të koordinuar të vendeve anëtare të BE, për ti mbyllur të gjitha çështjet e mbetura pezull në rajon, siç është dhe marrëveshja me njohje reciproke mes Kosoves dhe Serbisë. Është në interesin më të mirë të çdo vendi të rajonit, të lërë pas të shkuarën dhe të bashkëpunojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, bën të ditur kryetari i PD.

Në kuadër të vizitës së tij në Itali, Basha është takuar gjithashtu me Ministrin e Jashtëm të Vatikanit, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, të cilit i ka shprehur mirënjohje për rolin dhe kontributin e Vatikanit në momente vendimtare për shqiptarët. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!