Policia e Shtetit ka reaguar duke shprehur keqardhje për qëndrimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Policia thuhet në një deklaratë, është vetëm një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës për organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e eventeve sportive.
Në deklaratën për shtyp evidentohet se drejtori i Policisë së Shtetit i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur përmes shkresash zyrtare Federatës, marrjen e masave në zbatim të ligjit për Sportet, për garantimin e Kampionatit të Futbollit, por nga ana e federatës nuk ka patur asnjë reagim.
Policia e Shtetit, thuhet në deklaratë ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, lidhur me mbarëvajtjen e aktiviteteve të futbollit, për planifikimin dhe marrjen e masave të sigurisë së këtyre aktiviteteve në të gjithë vendin. Por ndërkohë kërkon edhe prej institucioneve që kanë detyrime të drejtpërdrejta për organizimin e eventeve sportive, të përmbushin këto përgjegjësi ligjore.
Në të kundërt, do të merren masa të ashpra për të penalizuar jo vetëm shkaktarët e akteve të dhunës, por edhe përgjegjësit për mos-marrjen e masave që parandalojnë përshkallëzimet e ngjarjeve me pasoja, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit./abcnews.al