Presidenti Joe Biden do të mbajë një takim të dielën me Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të diskutuar situatën në Ukrainë, tha të shtunën Shtëpia e Bardhë. “Presidenti Biden vazhdon të mbikqyrë situatën në zhvillim në Ukrainë dhe po përditësohet rregullisht rreth ngjarjeve në terren nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki në një deklaratë. “Ata riafirmuan se Rusia mund të nisë një sulm kundër Ukrainës në çdo kohë”.
Në deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se Biden është informuar mbi takimet ku mori pjesë Zëvëndëspresidentja Kamala Harris me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe udhëheqësit e vendeve të tjera evropiane raporton gazetarja Kelsey Vlamis e “Business Insider”. Biden kishte thënë të premten se ishte “i bindur” se një pushtim rus i Ukrainës kishte gjasa të ndodhte në ditët e ardhshme.
“Ne po i thërrasim planet e Rusisë me zë të lartë, në mënyrë të përsëritur, jo sepse duam një konflikt, por sepse po bëjmë gjithshka që kemi në dorë për të hequr çdo arsye që Rusia mund të japë për të justifikuar pushtimin e Ukrainës dhe për t’i penguar ata të lëvizin,’ tha Biden. / abcnews.al