Gjykata e Tiranës liron me masën “detyrim paraqitje” Ervin Matën, i cili u dorëzua në Policinë e Tiranës pak ditë më parë. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për Matën në lidhje me vrasjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut por, kërkesa u rrëzua nga gjyqtari Artan Gjermeni.
Ervin Mata, njëri nga dy personat e dyshuar si të përfshirë në ngjarjen e ish-Bllokut, lihet i lirë nga gjykata e Tiranës. Edhe pse prokurori Kreshnik Ajazi kishte kërkuar masën “Arrest në burg”, gjyqtari Artan Gjermeni vendosi “detyrim paraqitjeje”.
Gjyqi u zhvillua në zyrën e gjyqtarin Gjermeni, ndërsa Ervin Mata nuk ishte i pranishëm por, u përfaqësua nga avokati i tij Alban Bengasi. Sipas mbrojtësit të 31-vjeçarit klienti i tij ishte viktimë në ngjarje dhe nuk shkoi të konfliktohej me palën tjetër që përfaqësohej nga Ervis Martinaj.
Ndërkohë organi i akuzës theksoi se do ta apelojë vendimin e shkallës së parë, për Matën. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së premtes. Ai ishte i shpallur në kërkim që prej 5 muajsh, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit, në ish-Bllok ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha.
Ndërkohë Ervis Martinaj dhe Eljo Hato mbetën të plagosur në atë konflikt. Eljo Hato u lirua në saje të një garancie pasurore prej rreth 1 milionë lekësh, për tu hetuar në gjendje të lirë. Nga hetimet e deritanishme Fabian Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon te jete ende në kërkim.
Po ashtu në kërkim është edhe biznesmeni Eldi Dizdari, që dyshohet nga prokuroria të jetë i përfshirë në atë ngjarje. Më herët janë vetëdorëzuar në polici edhe Ajaks Boshnjaku e Fabio Allushi. Por ata u lanë të lirë më pas nga gjykata Tiranës. I vetmi që qëndron pas hekurave për ngjarjen e ish-Bllokut është Evis Martinaj./abcnews.al