GREQI-Operacionet e kërkim shpëtimit në tragetin e pasagjerëve të linjës Brindizi-Gumenicë që mori flakë në detin Jon vijojnë edhe ditën e sotme.
Deri më tani janë shpëtuar 278 persona, ndërsa 12 të tjerë raportohen të zhdukur. Ata janë shtatë bullgarë, tre grekë, një turk dhe një lituanez. Dy vetë janë bllokuar brenda tragetit.
Dëmtimet nga djegia e anijes janë të mëdha, xhama të thyer dhe tymi i zi vazhdonte të dilte nga gjithë trupi i anijes, ndërsa një helikopter fluturonte sipër.
Trageti transportonte 153 automjete, shumë prej tyre kamionë. Gjithsej 239 pasagjerë dhe 51 pjesëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e anijes Euroferry Olympia me flamur italian, i cili po udhëtonte nga Greqia në Itali. Pas shpërthimit të zjarrit anijet e shpëtimit dërguan shumicën e pasagjerëve në Korfuz. Shkaku i zjarrit është ende duke u hetuar, thanë autoritetet greke. Ndërkohë në operacionin e fikjes së zjarrit morën pjesë edhe dy anije shqiptare.
Të paktën 10 persona ishin dërguar në një spital të Korfuzit, shumica me probleme të frymëmarrjes, sipas ministrisë greke të shëndetësisë. Anija është e ankoruar në rimorkiatorë kështu që është nën kontroll.
/abcnews.al