Pas skadimit të moratoriumit, ka nisur një betejë e re diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, me këtë të fundit që kërcënon me veprime në rast se Kosova do të sigurojë njohje të reja.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka hartuar strategji për njohje të reja e se shumë shpejt pritet që Kosova të vendosë edhe marrëdhënie bilaterale me disa shtete, ka bërë të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, në një tryezë diskutimi të organizatës “PIPS”.
Në këtë diskutim, ai ka thënë se më s’ka moratorium për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja, siç ishte vendosur për një vit më 4 shtator të vitit 2020 me marrëveshjen e zotimeve që Kosova dhe Serbia e patën nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, para ish-presidentit amerikan Donald Trump.
“Kemi vendosur një listë prioritetesh dhe kur të është koha e duhur do të aplikojmë”, ka thënë Ahmeti të martën.
Ndërkohë për këtë, menjëherë kanë reaguar nga Serbia. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë sot se Serbia “nuk do të rrijë duarkryq” nëse Kosova fillon të sigurojë njohje të reja.
Ai kërcënoi me “ndryshimin e sjelljes” në rast se Kosova do të njihet edhe nga shtete të tjera.
“Nëse dikush mendon se në atë mënyrë do të na shtyjnë pas murit, na e kthen dorën për të rënë dakord për diçka, duhet ta dijë se edhe ne mund të ndryshojmë mënyrën e sjelljes”, tha ai në një intervistë për “Veçernje novosti”./Express