U kap brenda “shtëpisë së barit” në Ndroq, burg për të riun, shpëton elektricisti, pronarja në arrati

schedule13:38 - 14 Shkurt, 2022

schedule 13:38 - 14 Shkurt, 2022

Eriban Daja 29 vjeç që u gjet brenda “shtëpisë së barit” në Ndroq është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Gazetari Ermal Vija raporton se në “arrest shtëpie” janë lënë faturisti Erjon Mema dhe elektricisti Qemal Hasa.

Laboratori i drogës u zbulua 2 ditë më parë. Në kuadër të operacionit “Pinet” është zbuluar ambienti i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.

Në pranga u vunë 3 persona, njëri prej tyre është kapur brenda “shtëpisë së barit”. Dy të tjerët janë punonjës të OSHEE-së, Qemal Hasa, elektricist,  Erion Mema, faturist. Gjithashtu është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit Elez Kapllani dhe një punonjës policie SPZ, Adrian Malliku. Në kërkim është shpallur organizatorja e kësaj veprimtarie, Rudina Xhambazi, 32 vjeçe, e cila kishte marrë banesën me qira.

Sipas policisë Xhambazi në shtëpinë e marrë me qira prej saj, së bashku me Eriban Dajan i cili u kap brenda gjatë ndërhyrjes së Policisë, e kishin banesën përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë operacionit janë sekuestruar  247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.

/abcnews.al