Një grua humbi jetën dhe tre persona mbetën të plagosur, mes tyre dy fëmijë në një aksident rrugor që ndodhi pranë fshatit Rrotull në Durrës. Viktima është drejtuesja e njërit prej mjeteve Mirela Daci, 31 vjeç, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy fëmijët e saj përkatësisht të moshës 9 dhe 7 vjeç si dhe një tjetër pasagjere 35-vjeçare, të cilët po udhëtonin në të njëjtin automjet.
Të lënduarit po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Durrësit. Ndërsa në makinën tjetër tip fuoristradë po udhëtonin dy turistë franceze, të cilët mësohet se nuk kanë pësuar lëndime.
Shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia dhe pakujdesia e drejtuesit me shtetësi franceze, i cili mendohet të jetë futur në parakalim në kthesë duke u përplasur me mjetin e viktimës që vinte përballë./abcnews.al