Tirana është në moment të mirë dhe mendon se ka ardhur koha të fitojë, më në fund, ndaj Partizanit. Trajneri Ardian Mema analizon duelin dhe tregon sesi mund të arrihet suksesi.
Derbi ka luajtur dhe ka fituar shumë, por si trajner e humbi të parin. Gjithsesi, Ardian Mema e ndjen veten një fitues të lindur, kjo edhe falë faktit se ka qenë thuajse gjithnjë tek Tirana, ndaj nuk druhet të thotë të vërtetat dhe të shohë pas tyre.
“Ndeshjet derbi kanë specifikën e vet, por kjo është fakt që Tirana nuk fiton prej 5 vjetësh me Partizanin. Ndoshta mund të ketë ardhur edhe dita për ta thyer. Ky është futbolli i pranon të tre rezultatet”, u shpreh Mema.
Si e ndjejnë veten Tirana dhe Mema përpara ndeshjes, dhe si mund të fitohet?
“Ne jemi përgatit për këtë ndeshje. Besoj që do jetë ndeshje shumë e fortë. Do fitojë ai që do jetë me më me pak gabime gjatë lojës, por mund të bëjnë diferencë edhe individë. Besoj që ne të bëjmë sa më pak gabime sepse edhe gjatë javës këtë kemi biseduar me ekipin. Ekipi është në momente të mira, sidomos rezultatet që kemi kaluar”, tha Mema.
Pas fitores ndaj Kukësit, u tha se Tirana i bëri dhuratë Partizanit. Mema ka një përgjigje për këtë.
“E kam thënë pas ndeshjes me Kukësin, ndoshta mund t’i bëjmë një dhuratë Kukësit ashtu siç ia bëmë Partizanit. Por që ne kemi ato hallet tona po themi. Duhet ta shohim ndeshjen për pikët sepse i kemi shumë të nevojshme. Kjo është ajo që do na udhëheqë nesër”, tha ai./abcnews.al

