Meta dekreton Gent Sejkon për drejtimin e Bankës së Shqipërisë

schedule11:43 - 14 Shkurt, 2022

schedule 11:43 - 14 Shkurt, 2022

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Gent Sejkon si Guvernator të Bankës së Shqipërisë me një mandate 5 vjeçar. Meta thotë se e dekretroi Sejkon pasi ndoqi me vëmendje zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Presidenca shprehet se vlerëson politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.

“Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid”, shprehet Meta duke shtuar ndërkohë se në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë,

Banka  e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Njoftimi i Presidencës

Nisur nga fakti që Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka përfunduar mandati në datën 5 shkurt 2022, Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta, pasi ka ndjekur me vëmëndje dhe zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 161, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka dekretuar që :

Zoti Gent Sejko t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t`u rizgjedhur si Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.

Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid.

Megjithatë, në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, Banka  e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Rreziku i rritjes së kredive me probleme shton rëndësinë e  një monitorimi të ngushtë të cilësisë së portofolit të kredisë së bankave, ruajtjen e rezervave të kapitalit dhe forcimin e kornizave të zgjidhjes së kredive të këqija.

Të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale në rritje që lidhen me rritjen e borxhit publik dhe të ekspozimit ndaj rritjes së portofolit të projekteve të Partneritetit Publik Privat. /abcnews.al