Kreu i PD-së Lulzim Basha është duke diskutuar me deputetët e Grupit Parlamentar mbi vendimin për të votuar pro zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se në këmbim të kësaj vote demokratët kanë marrë miratimin e PS për ngritjen e dy komisioneve që do të bëjnë Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.
Në lidhje me votën pro, Basha tha PD ka patur që prej ditës së parë një qasje pro Reformës në Drejtësi. Megjithatë sipas tij, kanë qenë ndërhyrjet e maxhorancës për ta vënë Reformën nën shërbimin e saj që kanë rritur skepticizmin dhe kanë sjellë pasojat që po shihen sot.
“Natyrisht ndërhyrjet e maxhorancës për ta vënë në shërbim të saj e kanë dëmtuar atë (Reformën në Drejtësi sh.r) dhe pasojat po i shohim dhe sot. PD është e vendosur për të ndërmarrë çdo vendim që do te mundësonte funksionim më të mirë të drejtësisë dhe dhënien fund të pandëshkueshmerisë”, tha ai.
Pas arritjes së konsensusit, Kuvendi ka vendosur në rendin e ditës së sotme edhe votimin për ngritjen e dy komisioneve që do të merren me Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. /abcnews.al



